
Një rast shqetësues është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Gjakovë, ku një 14-vjeçar është raportuar i zhdukur, pasi familjarët kanë marrë informacion se ai ishte sulmuar nga dy persona në një banesë. Pamjet e sulmit dyshohet se i janë dërguar vëllait të viktimës përmes rrjetit social Snapchat, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja është raportuar më 13 nëntor, rreth orës 20:00, në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë.
Sipas burimeve të Sinjalit, familjarët e të miturit T.A. 14 vjeçar janë alarmuar pasi vëllai i tij kishte marrë një video në Snapchat, ku shiheshin dy persona duke e sulmuar atë brenda një banese në qytet.
Pasi ia kishin dërguar videon, personat që dyshohet se qëndronin pas sulmit e kishin bllokuar vëllain e viktimës në këtë rrjet social, duke ia pamundësuar komunikimin e mëtejshëm me ta.
I shqetësuar për fatin e 14-vjeçarit, familjari B.A. e ka raportuar rastin në Polici, duke deklaruar se nuk kishte informacion se ku ndodhej i mituri dhe kush ishin personat që e kishin dërguar videon.
Në kuadër të veprimeve fillestare është intervistuar edhe një dëshmitar i mitur, i cili është paraqitur në Polici i shoqëruar nga prindi.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar për të mitur, Policia ka iniciuar rastin “Person i zhdukur” dhe ka nisur veprimet për gjetjen e tij.
Rreth mesnatës, 14-vjeçari është gjetur nga njësia e hetimeve e stacionit policor.
Pas gjetjes është konstatuar se i mituri kishte qenë viktimë e një sulmi fizik dhe kishte nevojë për trajtim mjekësor, të cilin edhe e ka pranuar.
Për incidentin e dhunshëm është iniciuar edhe një rast i veçantë penal për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.
Rrethanat e sulmit dhe identiteti i personave të përfshirë mbeten objekt i hetimeve policore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali