
Një zyrtar i Policisë së Kosovës ka bërë një gjetje të pazakontë në kompleksin e banesave ku jeton në Vushtrri. Teksa ndodhej pranë objektit, ai ka hasur në një sasi të substancës së dyshuar narkotike të lënë në tokë. Pas njoftimit të kolegëve të tij, substanca është sekuestruar, ndërsa personi që e kishte lënë aty ende nuk është identifikuar, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të premten, më 13 nëntor, në rrugën “Avni Saraçi” në Vushtrri.
Sipas burimeve të Sinjalit, zyrtari policor kishte vërejtur substancën e dyshimtë në tokë, në hapësirën e kompleksit të banesave ku banon, dhe kishte njoftuar kolegët e tij.
Rreth orës 19:30, informacioni është përcjellë te njësitë përkatëse policore, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar substancën e gjetur.
Pas peshimit, është konstatuar se bëhej fjalë për 13.1 gramë substancë të dyshuar narkotike.
Për rastin është njoftuar edhe Njësia për Hetimin e Narkotikëve, por zyrtarët e saj nuk kanë dalë në vendin e ngjarjes për shkak të angazhimeve të tjera.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është urdhëruar inicimi i rastit penal për veprën “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Deri më tani nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar që mund të ketë lidhje me substancën e sekuestruar.
Rasti mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali