
Një vajzë 14-vjeçare në Prishtinë ka denoncuar babanë e saj për dhunë fizike dhe psikike, duke deklaruar se nuk ishte hera e parë që ai ushtronte dhunë ndaj saj, por se incidentet e mëparshme nuk i kishte raportuar. Babai i ka mohuar akuzat, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti është raportuar të premten, më 13 nëntor, rreth orës 17:00, në Stacionin Policor në Prishtinë.
Sipas burimeve të Sinjalit, e mitura E.S. 14 vjeçar është paraqitur në Polici dhe ka deklaruar se kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikike nga babai i saj, Z.S. 50 vjeçar.
Vajza ka deklaruar se babai e kishte rrahur edhe më herët, por se ato raste nuk i kishte denoncuar në Polici.
Pas raportimit, i dyshuari është paraqitur në Stacionin Policor Veriu, ku është intervistuar lidhur me pretendimet e vajzës.
Ai ka mohuar të ketë ushtruar dhunë, duke deklaruar se vajzën vetëm e kishte qortuar me fjalë.
Në cilësinë e dëshmitares është intervistuar edhe nëna e të miturës.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar për dhunë në familje, është vendosur që të iniciohet rast penal për veprën “Dhuna në familje”, ndërsa babai të lirohet në procedurë të rregullt.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, vajza është kthyer në shtëpi me dëshirën e saj.
Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali