
Një aksion i Policisë në fshatin Zhegër të Gjilanit ka përfunduar me sekuestrimin e një pistolete, municionit dhe inicimin e procedurës penale ndaj një 24-vjeçari, i cili dyshohet për armëmbajtje pa autorizim, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për Milaim Bislimin, 24 vjeçar, në shtëpinë e të cilit hetuesit policorë kanë kryer bastisje të premten, më 13 nëntor.
Kontrolli është realizuar nga Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Gjilan, në bazë të një urdhri të lëshuar nga Gjykata, në kuadër të hetimeve për dyshimet lidhur me posedimin e paautorizuar të armëve.
Gjatë bastisjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të tipit TT, 14 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe një karikator të zbrazët.
Pas sekuestrimit të armës dhe municionit, i dyshuari është shoqëruar për intervistim, i cili është zhvilluar në prani të avokatit mbrojtës.
Ndaj Bislimit është ngritur kallëzim penal për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Rasti do të trajtohet nga organet kompetente të drejtësisë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali