
Një rast shqetësues i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, ku një 27-vjeçare ka denoncuar ish-bashkëshortin për sulm fizik dhe kërcënime të vazhdueshme. Situata është rënduar edhe më shumë kur, sipas denoncimit, ai i ka lënë tre fëmijët e tyre të mitur në rrugë, pa përkujdesje. E frikësuar për sigurinë e saj dhe të fëmijëve, gruaja ka kërkuar strehim, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja është raportuar të shtunën, më 14 nëntor, rreth orës 20:30, në rrugën “Toni Bler” në Prishtinë.
Sipas burimeve të Sinjalit, viktima M.S. 27 vjeçare ka deklaruar në Polici se ish-bashkëshorti i saj, A.D., e kishte sulmuar fizikisht dhe se vazhdimisht përballej me kërcënime nga ai.
Por shqetësimi i saj është shtuar kur, sipas denoncimit, ish-bashkëshorti i ka lënë në rrugë, pa përkujdesje, tre fëmijët e tyre të moshave 7, 5 dhe vetëm 2 vjeç.
Gjatë intervistimit, 27-vjeçarja ka deklaruar se nuk ndihej e sigurt për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme dhe ka kërkuar që ajo dhe fëmijët të vendoseshin në një vend të sigurt.
Pas raportimit, Policia ka koordinuar veprimet me Qendrën për Punë Sociale, duke mundësuar strehimin e nënës së bashku me tre fëmijët e saj.
Ndërkohë, i dyshuari nuk është lokalizuar dhe, sipas informacioneve fillestare, ndodhet në arrati.
Për rastin është njoftuar Prokuroria, e cila ka urdhëruar inicimin e procedurës penale për veprën “Dhuna në familje”.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa nëna dhe tre fëmijët janë vendosur në strehim të sigurt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali