
Një 51-vjeçar në Prishtinë ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë, pasi djali i tij dyshohet se ka demoluar gjësendet brenda shtëpisë, duke shkaktuar shqetësim dhe dhunë psikike ndaj të atit. Rasti ka përfunduar me intervistimin e të dyve në stacion policor dhe inicimin e hetimeve për dhunë në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 14 nëntor, rreth orës 12:00, në rrugën “Gani Bobi” në Prishtinë.
Sipas burimeve të Sinjalit, ankuesi A.A. 52 vjeçar ka raportuar se kishte probleme me djalin e tij, E.A. 25 vjeçar, i cili atë ditë kishte demoluar gjësendet brenda shtëpisë.
Pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me familjarët.
Babai ka deklaruar se nuk kishte pasur dhunë fizike, por se veprimet e të birit i kishin shkaktuar shqetësim dhe përbënin, sipas tij, dhunë psikike.
Të dy janë shoqëruar në Stacionin Policor Veriu, ku kanë dhënë deklaratat lidhur me incidentin.
Për rastin është njoftuar Prokuroria, e cila ka udhëzuar inicimin e procedurës penale për veprën “Dhuna në familje”.
Pas intervistimit, 25-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti do të trajtohet nga organet kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali