OBRM-PDUKM: Pas hyrjes së Alta Bankës në Maqedoni, qëndrojnë interesa biznesi të BDI-së dhe LSDM-së

OBRM-PDUKM: Pas hyrjes së Alta Bankës në Maqedoni, qëndrojnë interesa biznesi të BDI-së dhe LSDM-së

Written by

in

Partia në pushtet OBRM-PDUKM pretendon se pas hyrjes së “Alta Banka” në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut qëndrojnë interesa biznesi të ish-partnerëve qeverisës, LSDM-së dhe BDI-së, duke kërkuar hetim të plotë të transaksioneve dhe rolit të ish-funksionarëve në këtë proces.

OBRM-PDUKM pretendon se një kompani e lidhur me familjen e një krushku të Ali Ahmetit ka marrë kredi prej pesë milionë eurosh nga “Alta Banka” në Serbi, ndërsa një kompani tjetër e të njëjtit rreth biznesi ka shitur aksione të një banke në Maqedoninë e Veriut te biznesmeni serb Davor Macura.

Sipas partisë, këto transaksione ngrenë dyshime për lidhje të mundshme mes kreditimit, shitjes së aksioneve dhe marrjes së kontrollit mbi bankën në Maqedoninë e Veriut.

“Rasti ‘Alta Banka’ është dëshmi e mënyrës së qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, të udhëhequra nga Ahmeti dhe klani Zaev. Për ta, shteti dhe qytetarët nuk kanë qenë të rëndësishëm, ndërsa interesi i vetëm kanë qenë skemat e biznesit, marrëveshjet jotransparente dhe pasurimi i individëve brenda natës”, thuhet në kumtesën e OBRM-PDUKM-së.

Në qendër të akuzave të VMRO-DPMNE-së është kompania “AS Senjak” nga Kërçova, në pronësi të Selaudin Arifit, të cilin partia e identifikon si krushk të Ali Ahmetit. Sipas kronologjisë së paraqitur në kumtesë, në tetor të vitit 2024 kjo kompani ka blerë një paketë të konsiderueshme aksionesh në Bankën Komerciale të Manastirit.

OBRM-PDUKM pretendon se në qershor të vitit 2025, një kompani e lidhur me të njëjtin rreth biznesi ka marrë kredi prej pesë milionë eurosh nga “Alta Banka” në Beograd. Tre muaj më vonë, më 17 shtator 2025, sipas partisë, “AS Senjak” ia ka shitur aksionet e saj në bankën e Manastirit biznesmenit serb Davor Macura dhe “Alta Banka”-s, duke mundësuar marrjen e kontrollit mbi bankën, e cila më pas u riemërtua “Alta Banka Maqedoni”.

Partia në pushtet i lidh akuzat edhe me veprimtarinë e ish-funksionarëve të BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi.

Sipas OBRM-PDUKM-së, këta ish-funksionarë kanë mbështetur në mënyrë aktive hyrjen e “Alta Banka”-s në sektorin financiar të vendit.