
Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Heshtja”, i cili u zhvillua më 14 nëntor 2026 në rajonin e Prishtinës.
Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi avokati i tij, Korab Bokshi, i cili ka bërë të ditur se Haraqija është intervistuar nga Policia e Kosovës.
Sipas avokatit, klienti i tij është marrë në pyetje lidhur me dyshimet për vepra penale që ndërlidhen me kontrabandimin e narkotikëve.
“Astritin e kanë arrestuar mbrëmë. E kanë intervistuar. Për efekt të hetimit nuk do të hyja në detaje, por e kanë ndërlidhur me disa vepra kinse ka të bëjë me kontrabandim të narkotikëve. E kanë pyetur për disa persona, kinse ky si figurë publike i njeh, disa nuk i njeh”, ka deklaruar Bokshi.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se Policia ka bastisur banesën e Haraqisë, por sipas tij, gjatë kontrolleve nuk është gjetur asgjë inkriminuese që lidhet me veprën për të cilën dyshohet.
Avokati ka konfirmuar se ndaj klientit të tij është kërkuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa ka bërë ankesë pranë gjyqtarit lidhur me këtë vendim.
“E kanë bastisur banesën e tij, kanë bërë kontrolle, por nuk kanë gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër penale”, ka deklaruar avokati Bokshi.
Hetimet në kuadër të operacionit “Heshtja” janë duke vazhduar.
Burimi: Insajderi