Ministri Sveçla mirëpret aksionin kundër trafikimit të drogës

Ministri Sveçla mirëpret aksionin kundër trafikimit të drogës

Written by

in

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorisë, që rezultoi me goditjen e një grupi të organizuar kriminal që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës në rajonin e Prishtinës.

Përmes një postimi, Sveçla ka bërë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Heshtja” janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, substanca të tjera narkotike, përfshirë marihuanë dhe ekstazi, si dhe asete në vlerë të përgjithshme prej rreth 301 mijë eurosh.

Sveçla ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të hetimeve profesionale në luftimin e krimit të organizuar.

Ai ka thënë se lufta kundër kësaj dukurie, e cila prek të gjithë shoqërinë, veçanërisht të rinjtë, do të jetë e vazhdueshme dhe e pakompromis.

Sipas tij, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbështesin dhe fuqizojnë veprimet e institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit për të goditur grupet kriminale në çdo nivel të organizimit të tyre.

Burimi: RTKLive