Arrestime dhe dorëheqje të përditshme në Serbi /Video

Arrestime dhe dorëheqje të përditshme në Serbi /Video

Written by

in

A ka nisur në Serbi shpërbërja e sistemit që Aleksandar Vuçiq dhe Partisë Përparimtare Serbe i ndërtuar gjatë 14 viteve në pushtet?

Në vetëm tri javë pas zgjedhjeve, janë arrestuar rreth 110 persona, janë dhënë mbi 100 dorëheqje dhe janë paraqitur më shumë se 200 kallëzime penale. Mes të arrestuarve janë Marko Kriçak nga policia kriminale, pronari i bankës ALTA, komandanti i njësisë speciale Igor Zhmiriq dhe ish-ministri Rade Basta.

Dyshimet lidhen me korrupsionin, keqpërdorimin e fondeve publike, blerjen e votave dhe dhunën ndaj studentëve gjatë protestave. Hetimet po shtrihen edhe në shërbimet e sigurisë.

Prokuroria për Krim të Organizuar po shqyrton kallëzimet ndaj drejtorit të BIA-s, Vladimir Orliq, dhe ministrit të Drejtësisë në detyrë, Nenad Vujiq. Ndërkohë, revista Radar raportoi për shkarkimin e zëvendësdrejtorit të BIA-s, Tomislav Radovanoviq, pas dyshimeve për përgjimin e gazetarëve, të cilat agjencia i ka mohuar. Në vëmendje janë edhe 49 faljet që Vuçiq nënshkroi para largimit nga posti i presidentit, përfshirë persona të akuzuar për sulme ndaj studentëve.

Një komision i pavarur kërkon që të shqyrtohet ligjshmëria e këtyre vendimeve. “Falja është kompetencë kushtetuese e presidentit, por nuk përjashtohet nga kontrolli i ligjshmërisë. Prandaj kërkojmë që kryeprokurorja Zagorka Dolovac të iniciojë procedurë në Gjykatën Administrative”,  thanë anëtarët të komisionit.

Ndërkohë, Lista Studentore ka paraqitur kallëzim penal ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë së Lartë në Beograd, Nenad Stefanoviq, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe trajtim të favorshëm të të dyshuarve në disa raste. “Të akuzuarve, në kundërshtim me ligjin, u janë mundësuar dënime më të lehta, kualifikime më të favorshme juridike ose shmangie e ndjekjes penale”, kanë shpjeguar përfaqësuesit e Listës Studentore.

E gjithë kjo po ndodh në një situatë të pazakontë politike. Lista Studentore ka fituar zgjedhjet, por ende nuk e ka marrë pushtetin. Institucionet vazhdojnë të drejtohen nga zyrtarë të emëruar gjatë qeverisjes së mëparshme, ndërsa Vuçiq arrestimet i cilëson revanshizëm politik. Interesimi për hetimet është aq i madh sa janë hapur edhe portale si “Shpërbërja e sistemit” dhe “Skandalet”, ku qytetarët mund të ndjekin arrestimet dhe ndryshimet në institucione.

Për shumë prej atyre që protestuan për gati dy vjet, këto janë shenjat e para të ndryshimeve që kërkuan. Megjithatë, arrestimet nuk nënkuptojnë fajësi. Mbetet të shihet sa larg do të shkojnë hetimet për korrupsionin dhe lidhjet e dyshuara me krimin e organizuar, si dhe çfarë pasojash do të kenë për të ardhmen politike të Aleksandar Vuçiqit.

Burimi: RTKLive