Belgjika ka shënuar fitore të madhe në shtëpi për t’u kualifikuar në play-offin e Ligës së Kombeve, ndërsa avancimin e siguroi edhe Franca.
Grupi A1 ishte më interesanti në këtë kompeticion, ku në xhiron finale, Italia gaboi dhe kësisoj mbeti jashtë pavarësisht që tre ditë më parë ishte lider i grupit.
Belgjika zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse në shtëpi për të fituar me rezultat 4-1.
Italia fillimisht e mori epërsinë falë Pio Esposito që shënoi një gol të bukur (12’).
Sidoqoftë, tre minuta më vonë Charles de Ketelaere arriti ta barazojë rezultatin (15’).
Ishte Nathan Ngoy që e përmbysi epërsinë pasi u gjend në vendin e duhur nga një top i kthyer (22’). Kurse, goditjen e tretë ia dha Jeremy Doku me një gol solo (26’).
Belgjika ishte larg më e mirë në këtë sfidë me Diego Moreira që u asistua nga De Bruyne dhe e vulosi fitoren (80’).
Kësisoj, Belgjika avancoi si pozitë e dytë me 12 pikë ndërsa Italia e mbyll këtë cikël si vend i tretë me 10 sosh.
Në anën tjetër, Franca shënoi fitore në shtëpi me vështirësi nga Turqisë me rezultat 2-1.
Emirhan Topcu shënoi autogol në përpjekje për ta larguar topin nga goditja prej këndit për t’i dhënë epërsinë Francës (49’).
Katër minuta më vonë Arda Guler barazoi rezultatin, por festa iu ndalë në gjysmë ngase VAR-i ia anuloi për pozitë jashtë loje.
Goditjen finale ia dha Eli Junior Kroupi pas asistimit të Cherkit (80’).
E tëra që bëri Turqia ishte goli i nderit falë Bardakci që shënoi me kokë pas harkimit të Guler (90’).
Franca e mbyll këtë grup si vend i parë me 13 pikë, ndërsa Turqia pa asnjë pikë pas gjashtë xhirove./Telegrafi/