Lindsay Clancy, gruaja nga Massachusettsi i Shteteve të Bashkuara, e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj, do të përballet me një rigjykim më 29 mars 2027.
Vendimi për caktimin e datës së gjykimit është marrë nga gjykatësi, pasi juria në procesin e parë nuk arriti të marrë një vendim përfundimtar për rastin që ka nxitur debat të gjerë në SHBA.
Prokuroria ka kërkuar që rasti të shqyrtohet sërish nga një juri, ndërsa mbrojtja e Clancy-t ka interpretuar këtë kërkesë si shenjë se prokurorët synojnë të vazhdojnë me akuzat për vrasje të shkallës së parë, të njëjtat që ishin ngritur në procesin e parë.
Megjithatë, prokurori i distriktit ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht se do të procedojë me këto akuza.
Clancy, 36 vjeçe, akuzohet se më 24 janar 2023, në shtëpinë familjare në Duxbury, Massachusetts, mbyti tre fëmijët e saj: Coran pesëvjeçare, Dawsonin trevjeçar dhe Callanin, vetëm tetë muajsh.
Sipas aktakuzës, ajo dyshohet se i ka sulmuar fëmijët me shirita elastikë për ushtrime në bodrumin e shtëpisë.
Pak para ngjarjes, ajo i kishte kërkuar bashkëshortit të atëhershëm, Patrick Clancy, të dilte për të marrë ushqim dhe barna për fëmijët.
Mbrojtja pretendon se në kohën e ngjarjes Clancy vuante nga një formë e rëndë e psikozës pas lindjes, e cila ia kishte cenuar aftësinë për të kuptuar veprimet e saj dhe për të mbajtur përgjegjësi penale.
Avokati i saj, Kevin Reddington, ka thënë se kërkesa e prokurorisë për një gjykim me juri lë të kuptohet se do të vazhdojnë me akuzat për vrasje të shkallës së parë.
“Besoj se mund të kuptohet mes rreshtave se kur thonë që rasti kërkon një juri, kjo është një koment indirekt nga prokurori i distriktit se ata synojnë të vazhdojnë me aktakuzat për vrasje të shkallës së parë, prandaj do të caktojmë datën e gjykimit”, ka deklaruar Reddington në seancën e së hënës.
Në gjykimin e parë, Clancy ishte përballur me tri akuza për vrasje të shkallës së parë, që nënkuptojnë vrasje të qëllimshme dhe të paramenduar.
Megjithatë, prokuroria mund të vendosë të vazhdojë me akuza më të lehta, përfshirë vrasjen e shkallës së dytë, që përfshin vrasje të paligjshme të kryera me keqdashje ose pakujdesi ekstreme, por pa paramendim.
Më 4 shtator, gjykatësi William Sullivan kishte shpallur procesin e parë të pavlefshëm, pasi juria prej 12 anëtarësh nuk arriti të pajtohej për një vendim.
Pas përfundimit të procesit, disa prej anëtarëve të jurisë u thanë mediave se kishin qenë të gatshëm ta shpallnin Clancy-n të pafajshme për shkak të gjendjes së saj mendore, por njëri prej juristëve kishte kundërshtuar këtë qëndrim.
Një javë para caktimit të datës së rigjykimit, gjykatësi Sullivan kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për rrëzimin e rastit, duke u mbështetur në parimin juridik të ndalimit të gjykimit të dyfishtë për të njëjtën vepër penale pas një pafajësie ose dënimi.
Rasti ka nxitur debat të gjerë në SHBA për mënyrën se si trajtohen çrregullimet e rënda mendore pas lindjes dhe ndikimin e tyre në përgjegjësinë penale.
Clancy aktualisht ndodhet në një institucion psikiatrik dhe mjekësor shtetëror në Massachusetts.
Burimi: Dukagjini
