
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, më 16 nëntor, u dhanë fjalët përfundimtare të mbrojtjes në rastin “Reflektori”, që lidhet me sekuestrimin e mbi 83 kilogramëve heroinë në Han të Elezit. Avokati Besnik R. Berisha kërkoi që i mbrojturi i tij Muhamet Hasani të lirohet nga akuza për ndihmë në trafikimin e narkotikëve.
Berisha tha se Prokuroria Speciale, në fjalën e saj përfundimtare, nuk kishte identifikuar asnjë veprim të Hasanit që do ta lidhte me veprën penale. Sipas tij, Prokuroria kishte barrën të provonte akuzën me prova konkrete.
“Ky njeri i shërbeu me nder këtij shteti para e pas luftës. Nuk ka njeri më të trishtuar se një i pafajshëm që akuzohet.”
“Edhe 50 seanca le t’i mbajmë, Prokuroria nuk e ka asnjë provë të vetme”, tha Berisha në fjalën përfundimtare.
Sipas mbrojtjes, takimi i Hasanit me Mentor Imamin kishte të bënte me transportin e mallrave, një shërbim që kompania “Alba Trans” e ofronte edhe për dhjetëra klientë të tjerë. Berisha tha se nga ky takim nuk provohet se Hasani kishte ndihmuar në transportimin e heroinës.
“Disa lëndë bëhen pjesë e ndërgjegjes kur rrezikohet klienti”, tha Berisha. Duke folur për Hasanin, ai shtoi: “Ky njeri i shërbeu me nder këtij shteti para e pas luftës. Nuk ka njeri më të trishtuar se një i pafajshëm që akuzohet.”
Pas fjalëve përfundimtare, gjykata caktoi datën e shpalljes së aktgjykimit. Trupin gjykues e kryeson gjyqtari Leon Përlaska, ndërsa anëtarë janë gjyqtarët Avni Syla dhe Violeta Namani.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 prill 2024, Prokuroria Speciale pretendon se Lorik Tigani, Onur Vizdik dhe Ilir Mema, duke vepruar në grup me Mentor Imamin, transportuan narkotikë nga Turqia në Kosovë me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes. Sipas të dhënave të paraqitura në seancë, Imami ndodhet në arrati.
Muhamet Hasani, Shefket Demi dhe Faik Krosa akuzohen se, nëpërmjet kompanisë së transportit “Alba Trans”, ndihmuan në sjelljen e ngarkesës nga Turqia në Kosovë. Prokuroria pretendon se Imami, klient i rregullt i kompanisë, kontaktoi fillimisht Hasanin për ngarkesën dhe se malli u dorëzua më pas në depon e kompanisë në Stamboll.
Siç kishte raportuar Gazeta Sinjali, më 23 shkurt 2022, gjatë kontrollit të kamionit në Han të Elezit u sekuestruan 83 kilogramë e 592 gramë. Sipas aktakuzës, heroina ishte fshehur brenda 32 reflektorëve dhe kishte destinacion Prishtinën.
Procedura ndaj Faik Krosës është veçuar. Në seancën e 8 qershorit, gjykata njoftoi se Prokuroria kishte hequr dorë nga akuza për armëmbajtje pa leje ndaj Lorik Tiganit. Onur Vizdik akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të armës.
Shënim: I akuzuari konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali