
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka kërkuar nga Ukraina që ta njeh pavarësinë e Kosovës.
Një kërkesë të tillë, Maqedonci e kabërë gjatë Konferencës për Deminimin në Ukrainë (UMAC), të mbajtur në Bruksel.
Ai ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Ukrainën, ndërsa ka theksuar se njohja e Kosovës nga Ukraina do të mundësonte një mbështetje edhe më të madhe.
Maqedonci ka bërë të ditur se FSK-ja, në bashkëpunim me Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara, ka trajnuar shtatë grupe me gjithsej 146 pjesëtarë të Policisë Kombëtare, Gardës Kombëtare dhe Shërbimeve të Emergjencës së Ukrainës.
Sipas tij, Kosova ka ofruar edhe dy pako mbështetëse ushtarake, ka kontribuar për dy vjet në Operacionin Interflex në Mbretërinë e Bashkuar për trajnimin e rekrutëve ukrainas, si dhe ka pritur gazetarë ukrainas.
“Kosova është e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj në fushën e deminimit për rimëkëmbjen e Ukrainës pas konfliktit, por edhe në faza të tjera, kur të vendosim bashkërisht për një gjë të tillë”, deklaroi ai.
Maqedonci theksoi se njohja e Kosovës nga Ukraina do të lehtësonte mbështetjen e mëtejshme.
“Njohja e Kosovës nga Ukraina do të na ndihmonte dhe do të na mundësonte të bënim më shumë në mbështetje të Ukrainës, pa pasur nevojë të përballemi me procedura dhe pengesa, të cilat mund t’i quajmë të panevojshme”, tha ministri.
Ai foli edhe për ndikimin rus në Evropë, duke theksuar se ky ndikim vazhdon të jetë i pranishëm në Serbi. /Klankosova.tv