Avokati i Popullit alarmon për kolektorin në Kalabri: Ujërat e zeza dhe mbeturinat po rrezikojnë shëndetin e banorëve

Avokati i Popullit alarmon për kolektorin në Kalabri: Ujërat e zeza dhe mbeturinat po rrezikojnë shëndetin e banorëve

Written by

in

Avokati i Popullit alarmon për kolektorin në Kalabri: Ujërat e zeza dhe mbeturinat po rrezikojnë shëndetin e banorëve

Punimet e ndërprera për ndërtimin e kolektorit të kanalizimit në rrugën “Rexhep Krasniqi”, në lagjen Kalabria të Prishtinës, kanë lënë pas një kanal të hapur, të mbushur me ujëra të zeza dhe mbeturina, duke rrezikuar shëndetin e banorëve të zonës, shkruan Insajderi.

Për këtë gjendje ka alarmuar Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili më 29 tetor ka nxjerrë një raport me rekomandime drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga Komuna.

Raporti është hartuar pas ankesës së banorëve të kësaj lagjeje, të cilët kanë ngritur shqetësimin për gjendjen në të cilën ndodhet zona prej rreth dy vitesh.

Sipas ankesës së L.Gj., e mbështetur edhe nga një peticion me nënshkrimet e 17 banorëve, punimet për kolektorin kanë nisur, por janë ndërprerë për shkak të problemeve me procedurat e shpronësimit.

Ndërkohë, kanali ka mbetur i hapur dhe i pasiguruar, duke u shndërruar në vendgrumbullim të ujërave të zeza dhe mbeturinave.

Gjendjen në terren e ka vlerësuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), pas kërkesës së Avokatit të Popullit për inspektim.

“Në raportin e datës 22 shtator 2026, IKShPK ka konstatuar se punimet e papërfunduara e kanë shndërruar zonën në një vatër të hapur infeksioni dhe ka evidentuar parregullsi serioze… kanali është plotësisht i zbuluar dhe shërben si pikë shkarkimi direkt për ujërat e zeza të objekteve banesore përreth; janë vërejtur gypa të improvizuar dhe infrastrukturë e dëmtuar, akumulim i mbeturinave urbane dhe mbetjeve të ngurta që bllokojnë rrjedhën… prani mushkonjash, prani e konsiderueshme e shpendëve dhe disa shpendë të ngordhur,” thuhet në dokument, përcjell Insajderi.

Në raportin e inspektimit përshkruhet edhe ndikimi i kësaj gjendjeje në jetën e përditshme të banorëve. Përveç ndotjes, kundërmimi i rëndë dhe prania e brejtësve e insekteve ua kanë vështirësuar shfrytëzimin normal të hapësirave të banimit.

“IKShPK ka evidentuar se gjendja ka degraduar cilësinë e jetesës së banorëve: janë raportuar prani masive e brejtësve, insekteve, sorrave dhe qenve endacakë, probleme shëndetësore që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pamundësi për shfrytëzimin normal të oborreve dhe madje hapjen e dritareve për shkak të erës së padurueshme. Në mesin e popullatës potencialisht të ekspozuar janë identifikuar fëmijë, përfshirë fëmijë nën moshën pesë vjeç, persona mbi 65 vjeç dhe persona me sëmundje kronike.”

Avokati i Popullit ka vlerësuar se Komuna e Prishtinës ka qenë e njoftuar për problemin që nga viti 2024, kur për të njëjtën çështje ishte nxjerrë edhe një raport me rekomandime, por që gjendja nuk është zgjidhur.

Në raportin e fundit, institucioni konstaton se mosveprimi i Komunës dhe mungesa e masave për mbrojtjen e banorëve cenojnë të drejtat e tyre për respektimin e jetës private e familjare, banesës dhe gëzimin e një mjedisi të shëndetshëm.

Për këtë arsye, Avokati i Popullit i ka kërkuar Komunës që të ndërhyjë pa vonesa, duke pastruar zonën nga mbeturinat, duke kryer dezinfektimin, deratizimin dhe dezinsektimin, si dhe duke mbyllur kyçjet ilegale të ujërave të zeza.

Po ashtu, Komuna duhet ta izolojë hapësirën ku janë ndërprerë punimet, për të garantuar sigurinë e banorëve dhe veçanërisht të fëmijëve, si dhe të përfundojë projektin e kolektorit përmes procedurave të përshpejtuara.

“Avokati i Popullit… i REKOMANDON Komunës së Prishtinës: të ndërmarrë masa për pastrimin e lumit [dhe] hapësirave përreth tij nga ndotja dhe mbetjet e grumbulluara… të sigurojë dezinfektimin, deratizimin dhe dezinsektimin e gjithë zonës përgjatë rrugës ‘Rexhep Krasniqi’, identifikimin dhe mbylljen e kyçjeve ilegale dhe derdhjeve të pakontrolluara të ujërave të zeza… të ndërmarrë masa shtesë për izolimin e zonës së punimeve me qëllim të krijimit të sigurisë së personave, veçanërisht të fëmijëve [dhe] të përfundojë me procedurë të përshpejtuar punimet e ndërprera për ndërtimin e kolektorit,” thuhet në dokument.

Komuna e Prishtinës ka afat prej 30 ditësh që ta njoftojë Avokatin e Popullit për veprimet e ndërmarra në zbatimin e këtyre rekomandimeve.

Burimi: Insajderi