Këta janë dy personat e arrestuar si të dyshuar për grabitjet e dy argjendarive në Gjakovë

Këta janë dy personat e arrestuar si të dyshuar për grabitjet e dy argjendarive në Gjakovë

Written by

in

Këta janë dy personat e arrestuar si të dyshuar për grabitjet e dy argjendarive në Gjakovë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në dy grabitjet e armatosura të argjendarive në Gjakovë, të ndodhura më 5 dhe 16 nëntor. Gjatë bastisjeve në Deçan janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme, ari, një veturë Golf 7, armë zjarri dhe prova të tjera materiale.

Raportohet se personat e arrestuar janë dy deçanas, Lirim Istrefaj dhe Arbenit Ukaj.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, grabitja e parë kishte ndodhur më 5 nëntor 2026, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur kishin grabitur një argjendari, duke marrë një sasi ari dhe para të gatshme.

Sipas pronarit të argjendarisë, vlera e arit të grabitur ishte rreth 30 mijë euro, ndërsa paratë e gatshme kapnin shumën prej rreth 2 mijë eurosh.

Një tjetër grabitje e armatosur ishte regjistruar më 16 nëntor, rreth orës 16:50, në rrugën “Izet Hima”, po ashtu në Gjakovë. Në këtë rast, dy persona të maskuar kishin hyrë në një argjendari, njëri i armatosur me një armë të gjatë, që dyshohet të jetë e tipit AK-47, ndërsa tjetri me një çekan.

Të dyshuarit kishin kanosur personat e pranishëm, ndërsa njëri prej tyre kishte thyer vitrinën e argjendarisë dhe kishte marrë një sasi stolish ari, kryesisht zinxhirë.

Gjatë grabitjes, njëri nga viktimat kishte tentuar t’ia marrë armën e gjatë njërit prej të dyshuarve, i cili më pas kishte shtënë me armë zjarri, duke e plagosur viktimën në këmbën e djathtë.

Pas hetimeve intensive, analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë dhe veprimeve operacionale, hetuesit kanë arritur të sigurojnë prova për identifikimin e personave të dyshuar dhe veturës që dyshohet se ishte përdorur në grabitje.

Më 17 nëntor 2026, Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë dhe patrullat policore, ka realizuar bastisje në pronën e të dyshuarit A.U., i lindur në Gjermani dhe me banim në komunën e Deçanit.

Gjatë bastisjes është gjetur vetura që dyshohet se ishte përdorur në grabitje, një armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme e parave të gatshme.

Kontroll është kryer edhe te personi tjetër i dyshuar, L.I., nga komuna e Deçanit, ku janë gjetur prova që ndërlidhen me rastin.

Në cilësi të provave materiale, deri më tani janë sekuestruar:  7 mijë e 330 euro dhe 100 dollarë amerikanë, një veturë Golf 7, një sasi ari, dy telefona mobilë dhe veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.

Policia ka bërë të ditur se, bazuar në provat dhe dëshmitë e siguruara, dy personat dyshohen për përfshirje në të dy grabitjet e argjendarive në Gjakovë.

Operacioni policor është ende në zhvillim, ndërsa veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente.

Burimi: Insajderi