
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kanë shpallur fajtor ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë dhe mosbindjen ndaj gjykatës.
Për këtë zhvillim ka raportuar agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Associated Press (AP), e cila bën të ditur se Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim.
Ky dënim i shtohet atij prej 25 vjetësh burgim, të cilin ai tashmë po e vuan për krime lufte.
Sipas AP-së, ky është zhvillimi më i fundit në proceset gjyqësore ndaj Thaçit, i cili në shtator u dënua me 25 vjet burgim, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Klankosova.tv
Në procesin për pengim të drejtësisë, Thaçi ishte në gjykim së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin. Ata akuzoheshin për përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve dhe të gjithë ishin deklaruar të pafajshëm.
Smakaj dhe Fazliu u shpallën fajtorë për tentativë të pengimit të drejtësisë dhe u dënuan me nga 12 muaj burgim. Megjithatë, gjykata urdhëroi lirimin e tyre të menjëhershëm, pasi kishin vuajtur tashmë dënimin gjatë kohës së kaluar në paraburgim.
Hajredin Kuçi u shpall fajtor për një akuzë që lidhet me mosbindjen ndaj gjykatës dhe u dënua me një muaj burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.