Tri ditë para fillimit, GrowthTank 2026 po i afrohet shitjes së plotë të biletave.
Telegrafi mëson nga burime pranë organizatorëve se, pasi të hënën u bë e ditur që 80 për qind e biletave ishin shitur, interesimi është rritur edhe më shumë dhe tani në AMC Hall kanë mbetur vetëm pak vende të lira.
Sipas të njëjtave burime, sivjet është shitur numri më i madh i biletave që nga themelimi i konferencës.
Interesimin e ka nxitur lista e folësve, e cila është publikuar gradualisht gjatë dy javëve të fundit dhe përfshin emra që kanë punuar me Google, Apple, Meta, Adobe, Ferrari dhe Prada.
Mes tyre janë Chris Heemskerk, i cili ka punuar më shumë se një dekadë në Google dhe Apple, krijuesi i përmbajtjeve për AI Sebastien Jefferies, me mbi dy milionë ndjekës, dhe Andy Fitze, bashkëthemelues i SwissCognitive dhe kapiten i 23 ekspeditave në Arktik.
Në skenë do të jenë edhe emra të njohur të skenës digjitale në Kosovë. Darsej Rizaj, bashkëthemelues i StarLabs dhe drejtues i Digital School, do të mbajë një ligjëratë të shtunën.
Po atë ditë, në një bisedë të përbashkët do të marrin pjesë themeluesi i Gjirafës, Mergim Cahani, drejtuesi i Hallakates, Valon Canhasi, dhe drejtori i Telegrafit, Gentian Lluka.
Risi e këtij edicioni është edhe “Creators Lounge”, një hapësirë ku për herë të parë krijuesit e përmbajtjeve, brendet dhe startup-et do të mund të takohen dhe të shkëmbejnë ide.
Ndryshe nga edicionet e kaluara, programi i sivjetmë është tërësisht praktik, me punëtori dhe demonstrime të drejtpërdrejta të përdorimit të inteligjencës artificiale, nën moton “No boring talks. AI in action”.
Konferenca hapet të premten, më 20 nëntor, në orën 13:00, dhe vazhdon të shtunën, më 21 nëntor, nga ora 10:00.
Biletat e mbetura mund të blihen në growth-tank.com, me çmim 5 euro për studentë, 10 euro për profesionistë nën 30 vjeç dhe 20 euro bileta standarde.
Ndryshe, GrowthTank organizohet nga agjencia Growzillas dhe mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.