
Kontrolle të pamjaftueshme për produktet, mbikëqyrje e dobët e shitësve dhe masa joefektive ndaj shkeljeve. Këto janë disa nga problemet që Komisioni Evropian ka evidentuar në funksionimin e platformës kineze të tregtisë online Temu.
Sipas gjetjeve paraprake, kompania nuk kryen verifikime të mjaftueshme për të garantuar sigurinë e mallrave që tregtohen në platformë. Raportet e testimit kërkohen vetëm për një numër të kufizuar produktesh, ndërsa edhe në këto raste dokumentacioni shpesh nuk kontrollohet. Shqetësim të veçantë paraqesin pajisjet elektronike dhe produktet kozmetike.
Mangësi janë konstatuar edhe në sistemin e moderimit. Sipas hetuesve, Temu përqendrohet kryesisht te kontrolli i përshkrimeve dhe informacionit të publikuar për produktet, por jo te siguria e vetë mallrave. Ndërkohë, numri i moderatorëve njerëzorë nuk është rritur në përputhje me zgjerimin e ofertës së platformës.
Një tjetër problem lidhet me masat ndaj tregtarëve që shkelin rregullat. Komisioni vëren se ndëshkimet zbatohen kryesisht ndaj dyqaneve dhe jo ndaj shitësve që i zotërojnë ato. Kjo u krijon mundësi tregtarëve të bllokuar të hapin dyqane të reja dhe të vijojnë aktivitetin. Kompania akuzohet gjithashtu se vonon pezullimin e shitësve që përsërisin shkeljet.
Kjo procedurë vjen pas një gjobe prej 200 milionë eurosh ndaj Temu, për shkelje që lidhen me shitjen e produkteve të paligjshme. Komisioni i kishte kërkuar platformës edhe një plan veprimi për përmirësimin e kontrolleve, në përputhje me Aktin e Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian.
Nga ana e saj, Temu i ka kundërshtuar gjetjet. Procedura mbetet e hapur dhe kompania ka të drejtë të paraqesë mbrojtjen e saj përpara marrjes së vendimit përfundimtar. Nëse shkeljet konfirmohen, platforma rrezikon një gjobë që mund të arrijë deri në 6% të xhiros vjetore globale.
Burimi: Insajderi