Gjykata në Beograd lëshon fletarrestim ndaj Milan Radoiçiqit për rastin e Banjskës

Gjykata në Beograd lëshon fletarrestim ndaj Milan Radoiçiqit për rastin e Banjskës

Written by

in

Gjykata e Lartë në Beograd ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit deri në 30 ditë dhe lëshimin e fletarrestimit ndaj Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili po hetohet për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Lajmi është konfirmuar për televizionin N1 nga Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa fillimisht ishte publikuar nga BIRN.

Sipas gjykatës, vendimi është marrë pasi Radoiçiqi nuk është paraqitur më 15 nëntor në stacionin policor, ashtu siç ishte obliguar. Masa e paraburgimit prej 30 ditësh do të llogaritet nga dita dhe ora e arrestimit të tij.

Radoiçiqi akuzohet se nga janari i vitit 2023 deri më 24 shtator të po atij viti kishte siguruar armë, municion dhe eksplozivë me fuqi të madhe shkatërruese, të cilat më pas i kishte transportuar dhe fshehur në lokacione të ndryshme në Kosovë.

Sipas aktakuzës, ai dyshohet se si udhëheqës i një grupi personash, më 24 shtator 2023, kishte organizuar dhe marrë pjesë në sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Radoiçiqi, i cili në kohën e sulmit ishte nënkryetar i Listës Serbe, dha dorëheqje nga kjo pozitë pas ngjarjes. Pesë ditë pas sulmit, përmes avokatëve të tij, kishte deklaruar se ai personalisht e kishte organizuar aksionin.

Burimi: RTKLive