
Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 12-të, e cila është zhvilluar në formë elektronike, ku ka miratuar një sërë vendimesh dhe nismash për lidhjen e marrëveshjeve të granteve dhe kredive për projekte të ndryshme.
Ndër vendimet e miratuara është edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Grant dhe Zbatimin e Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” dhe KfW Frankfurt am Main, për projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatur me Klimën – Ujërat e Zeza në Prishtinë”.
Po ashtu, është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Prishtinë”.
Në kuadër të kësaj mbledhjeje, Qeveria ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes së grantit ndërmjet Kosovës, KOSTT-it dhe KfW Frankfurt am Main, e cila synon përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike.
Një tjetër nismë e miratuar ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjes së grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave në Kosovë dhe KfW Frankfurt am Main, për projektin “Menaxhimi i Mbetjeve të Ngurta II-IV”.
Në listën e vendimeve të miratuara janë përfshirë edhe:
Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane të Investimeve për projektin “Përmirësimi i Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës”. Projekti parasheh blerjen e pajisjeve të reja mjekësore, rehabilitimin e infrastrukturës për instalimin e tyre, asistencë teknike dhe trajnimin e ekipeve për mirëmbajtjen e pajisjeve.
Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Përmirësimi i Kujdesit Shëndetësor Sekondar dhe Terciar”. Marrëveshja përfshin modernizimin e pajisjeve mjekësore në gjashtë spitale publike, rinovimin e infrastrukturës spitalore dhe përmirësimin e kapaciteteve diagnostikuese e trajtuese.
Nisma për lidhjen e marrëveshjes së grantit ndërmjet Kosovës dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, përmes së cilës synohet mbështetja e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Kërkesa e Ministrisë së Financave për realizimin e kursimeve dhe ndarjeve buxhetore, sipas tabelave të paraqitura në anekset përkatëse.
Kërkesa e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për transferimin e mjeteve buxhetore deri në 25 për qind të ndarjeve buxhetore të ndikuara negativisht.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali