“Rruga A” në Prishtinë pritet të hapet javën e ardhshme, projekti u përcoll me mbi tre vjet vonesa

“Rruga A” në Prishtinë pritet të hapet javën e ardhshme, projekti u përcoll me mbi tre vjet vonesa

Written by

in

“Rruga A” në Prishtinë pritet të lëshohet në qarkullim gjatë javës së ardhshme, pas më shumë se tre vjetësh e gjysmë nga nisja e punimeve. Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Prishtinës, e cila ka njoftuar se projekti është pothuajse i përfunduar.

Drejtoresha e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Zyhrije Pllana, në një përgjigje për RTK-në, ka thënë se ky investim pritet të ndikojë në lehtësimin e qarkullimit të automjeteve, lëvizjen e këmbësorëve dhe përmirësimin e jetës së përditshme të banorëve.

Ajo ka pranuar se gjatë realizimit të projektit janë përballur me sfida, vështirësi dhe bllokada, por ka theksuar se punimet po shkojnë drejt përfundimit dhe se projekti po realizohet në përputhje me standardet e parapara.

Megjithatë, vonesat e gjata në realizimin e këtij projekti kanë shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, të cilët ankohen për vështirësitë në qarkullim dhe lëvizjen e përditshme.

“Rruga është krejt e përfunduar, por nuk po e lëshojnë. S’kemi as kah të lëvizim. Edhe për kanalizimin në rrugën e sipërme, tash e katër vjet nuk kanë ardhur ta rregullojnë”, ka deklaruar një qytetar.

Ndërsa një qytetar tjetër ka vënë në pikëpyetje arsyet e vonesave, duke thënë: “Po të kishin dashur, do ta kishin lëshuar, por nuk i kanë ndarë paratë. Kush punon pa para?”

Edhe një tjetër qytetar ka shprehur pakënaqësi për ritmin e punimeve, duke deklaruar se ato po zhvillohen shumë ngadalë.

Përveç kritikave të qytetarëve, projekti është shoqëruar edhe me akuza për mënyrën e menaxhimit të tij. Nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kanë kërkuar që Prokuroria të hetojë procesin e realizimit të investimit.

Enver Redenica nga kjo parti ka pretenduar se gjatë projektit ka pasur parregullsi dhe ka kërkuar sqarime për ndërprerjen dhe vazhdimin e kontratës.

“Kemi keqpërdorime të mëdha, që unë mendoj që Prokuroria duhet me i hetu të gjitha, kemi ndërprerje të kontratës, vazhdim të kontratës edhe askush s’ka dhënë kurrfarë shpjegimi”, ka deklaruar Redenica.

Punimet për “Rrugën A” kanë nisur në vitin 2023, por gjatë kësaj periudhe projekti është përcjellë me vonesa dhe ndërprerje të vazhdueshme.

Kjo rrugë konsiderohet një nga projektet kryesore infrastrukturore në kryeqytet, pasi synon të krijojë lidhje më funksionale ndërmjet lagjeve Kalabria, Spitali, Mati dhe zonës së Prishtinës së Re.

Përmes këtij projekti synohet të krijohen alternativa të reja për qarkullimin e automjeteve dhe të lehtësohet ngarkesa në rrugët ekzistuese të kryeqytetit.

Tashmë mbetet të shihet nëse Komuna e Prishtinës do ta përmbushë afatin e paralajmëruar dhe “Rruga A” do të hapet për qarkullim gjatë javës së ardhshme. /rtk/