Në një postim në platformën X, Hoxha ka kritikuar retorikën kërcënuese, duke paralajmëruar se deklarata të tilla mund t’u japin zemër personave të gatshëm t’i shndërrojnë fjalët në veprime.
Ai ka përmendur edhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, duke theksuar se llogaridhënia e plotë për atë ngjarje ende mungon.
Hoxha ka thënë se bashkëpunimi i qëndrueshëm rajonal nuk mund të ndërtohet përderisa mohohen realitetet, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i fqinjëve ose përdoret retorika kërcënuese për përfitime politike.
Sipas tij, rruga përpara për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet në marrëdhënie të mira fqinjësore, bashkëpunim rajonal dhe përpjekje të sinqerta për pajtim.
“Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit tonë dhe një vend që po e konsolidon vazhdimisht vendin e vet në komunitetin evropian dhe ndërkombëtar”, ka shkruar Hoxha.
Ai ka theksuar se Kosova është shtëpi për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë etnike, dhe se e ardhmja e saj duhet të jetë e orientuar drejt paqes, sigurisë, gjithëpërfshirjes dhe integrimit evropian.
Në fund, Hoxha ka ritheksuar mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën, duke e cilësuar atë si përkushtim ndaj lidhjeve mes dy vendeve dhe si investim strategjik në të ardhmen e përbashkët evropiane, paqen dhe sigurinë e rajonit.
Burimi: RTKLive
