Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka prezantuar në Ambasadën amerikane në Tiranë aktivitetin “Payday Activities”, një traditë që e ka origjinën në ushtrinë amerikane.
Përmes një postimi në platformën X, Ambasada e SHBA-së ka ndarë detaje nga ky aktivitet, duke e cilësuar atë si një traditë krenare të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, e cila synon të forcojë frymën e bashkëpunimit dhe unitetit mes pjesëtarëve të ekipit.
Në njoftim bëhet e ditur se gjatë takimit janë mirëpritur kolegët e rinj, janë nderuar ata që po përfundojnë angazhimin e tyre, si dhe janë vlerësuar punonjësit që kanë bërë më shumë sesa u kërkohej në kuadër të detyrave të tyre.
Ambasada amerikane ka theksuar se traditat që bashkojnë njerëzit kanë një rëndësi të veçantë, duke iu referuar edhe historisë së Shteteve të Bashkuara, nga Lufta për Pavarësi e deri në ditët e sotme.
“Prej Luftës Amerikane për Pavarësi e deri më sot, traditat më të mira janë ato që i bashkojnë njerëzit. Ambasadori Wendt prezantoi së fundmi në Ambasadë ‘Payday Activities’, një traditë krenare e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara”, thuhet në postim.
Më tej, ambasada thekson se pjesëtarët e ekipit punojnë çdo ditë së bashku për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Çdo ditë, ky grup i jashtëzakonshëm punon së bashku për t’i bërë Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë më të forta, më të begata dhe më të sigurta”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.