
WhatsApp ka nisur testimin e një funksioni të ri që u mundëson përdoruesve të ruajnë kopjet rezervë të bisedave në hapësirën e vet cloud, me mbrojtje automatike përmes enkriptimit nga skaji në skaj.
Sipas WABetaInfo, ky funksion është vërejtur në versionin beta 2.26.46.4 të WhatsApp-it për pajisjet Android. Përdoruesit që kanë qasje në këtë mundësi mund të zgjedhin nëse kopjet rezervë të bisedave do t’i ruajnë në hapësirën cloud të WhatsApp-it apo në Google Drive.
Shërbimi i ri ofron fillimisht 2 GB hapësirë falas. Ndërkaq, përdoruesit që kanë nevojë për më shumë kapacitet mund të blejnë hapësirë shtesë përmes abonimit WhatsApp Plus, i cili përfshin 100 GB. Për kapacitete edhe më të mëdha, përmes shërbimit Meta One mund të sigurohen deri në 4 TB hapësirë.
Megjithatë, përdoruesit duhet të kenë parasysh një kusht të rëndësishëm që lidhet me abonimet. Nëse abonimi nuk rinovohet, WhatsApp do ta fshijë përgjithmonë kopjen rezervë pas katër muajsh.
Një nga veçoritë kryesore të këtij sistemi është siguria. Kopjet rezervë të ruajtura në hapësirën cloud të WhatsApp-it enkriptohen automatikisht nga skaji në skaj. Ndryshe nga ky sistem, Google Drive në Android dhe iCloud në iOS nuk e kanë këtë mbrojtje të aktivizuar automatikisht, pasi enkriptimi në këto platforma është opsional.
Për këtë arsye, përdoruesit që nuk dëshirojnë ta përdorin enkriptimin e detyrueshëm të WhatsApp-it duhet të vazhdojnë të zgjedhin Google Drive ose iCloud për ruajtjen e kopjeve rezervë.
Për një nivel shtesë sigurie, kopjet e bisedave mund të mbrohen përmes një çelësi kalimi (passkey), një fjalëkalimi ose një çelësi enkriptimi me 64 shifra.
WhatsApp kishte nisur testimin e këtij sistemi në pajisjet Android në prill, ndërsa në korrik e kishte zgjeruar edhe në pajisjet me sistemin iOS.
Pas përfshirjes së një grupi përdoruesish të Android-it në fazën e re të testimit, pritet që funksioni të zgjerohet së shpejti edhe për përdoruesit beta në iOS, përpara se të bëhet i disponueshëm për të gjithë përdoruesit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali