Tri gjërat që duhet t’i bëjnë përdoruesit e iPhone pas sulmit të madh kibernetik

Tri gjërat që duhet t’i bëjnë përdoruesit e iPhone pas sulmit të madh kibernetik

Written by

in

Tri gjërat që duhet t’i bëjnë përdoruesit e iPhone pas sulmit të madh kibernetik

Përdoruesit e iPhone dhe iPad janë paralajmëruar të ndërmarrin disa hapa për të mbrojtur të dhënat dhe paratë e tyre, pas një sulmi të madh kibernetik që ka prekur 178 organizata në mbarë botën.

Sipas një raportimi të gazetës britanike The Independent, sulmi kishte për qëllim vjedhjen e kriptovalutave dhe të dhënave të kartelave bankare, ndërsa në mesin e organizatave të prekura janë HSBC, Zoom, IKEA, Equifax, Salesforce, BBC dhe CNN, përcjell Insajderi.

Hulumtuesi i sigurisë kibernetike, Scott Helme, zbuloi se në faqet e internetit të këtyre organizatave ishte shpërndarë kod keqdashës JavaScript, përmes platformës Optimizely, e cila përdoret nga kompanitë për menaxhimin dhe optimizimin e pranisë së tyre në internet.

Kodi keqdashës synonte të ridrejtonte transaksionet me kriptovaluta në kuletat e sulmuesve, të vidhte të dhënat e kartelave bankare, të merrte informacione nga cookies dhe pamje të ekranit, si dhe të instalonte programe shfrytëzuese në pajisjet me sistemin iOS.

Pas zbulimit të sulmit, përdoruesve u janë rekomanduar tri veprime kryesore:

1. Përditësimi i sistemit operativ

Të gjithë ata që kanë vizituar faqet e prekura më 16 nëntor këshillohen ta përditësojnë iPhone-in ose iPad-in në versionin iOS 18.7.3 ose më të ri, përkatësisht iOS 26.3 ose më të ri.

2. Kontrollimi i transaksioneve me kriptovaluta

Përdoruesit që kanë kryer transaksione me kriptovaluta gjatë 16 nëntorit duhet t’i kontrollojnë ato për t’u siguruar se paratë nuk janë ridrejtuar në kuleta të panjohura.

3. Kontrollimi i pagesave me kartela bankare

Ata që kanë bërë pagesa me kartela bankare në ndonjërën prej faqeve të prekura duhet t’i kontrollojnë me kujdes pasqyrat e llogarive dhe transaksionet e realizuara, për të identifikuar ndonjë pagesë të dyshimtë.

Kompania e sigurisë kibernetike HudsonRock ka konfirmuar gjithashtu se ka gjetur dëshmi se kodi i infektuar u është shpërndarë vizitorëve të faqeve të prekura. Megjithatë, ende nuk dihet nëse sulmuesit kanë arritur ta shfrytëzojnë me sukses këtë kod dhe sa është dëmi i shkaktuar.

Ndërkohë, Salesforce ka bërë të ditur se po heton ndryshimet e paautorizuara në skriptet e saj dhe se e ka çaktivizuar përkohësisht Optimizely si masë parandaluese. Edhe Equifax ka ndërprerë përdorimin e këtij shërbimi, pasi një hetim nuk kishte gjetur shenja të cenimit të sistemeve të saj.

Hulumtuesi Scott Helme e ka cilësuar sulmin si jashtëzakonisht shqetësues, duke paralajmëruar se numri i organizatave të prekura mund të jetë edhe më i madh se 178.

Burimi: Insajderi