Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë më 1999 i ndau studiuesit e së drejtës ndërkombëtare në dy taborë. Një pjesë e tyre e mbështetën ndërhyrjen mbi bazën e nevojës për të parandaluar katastrofën humanitare, pjesa tjetër e kundërshtuan duke u thirrur në sovranitetin shtetëror dhe ndalimin e përdorimit të forcës ndaj një shteti sovran. Por, në atë kohë ekzistonte një dallim thelbësor mes debatit juridik dhe realitetit politik: Kosova po përjetonte një fushatë sistematike të dhunës, dëbimeve dhe krimeve të organizuara nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Pas ndërhyrjes qëndronte një superfuqi, ShBA-ja, e mbështetur nga shtetet kryesore evropiane, të cilat nuk mund ta përsërisnin më dështimin e Srebrenicës.
Shqiptarët e Kosovës arritën ta bindnin botën se nuk po luftonin për të pushtuar territorin e dikujt tjetër, por për të mos u zhdukur nga toka e tyre. Ky ishte konteksti që e legjitimoi politikisht ndërhyrjen dhe që i dha Kosovës mbështetjen e jashtëzakonshme ndërkombëtare pas luftës.
Por, Serbia nuk e pranoi kurrë humbjen e kësaj beteje. Për 27 vjet, bashkë me Rusinë, vazhdoi ta ndërtonte dhe ta eksportonte një narrativë tjetër: NATO-ja kishte shkelur sovranitetin e një shteti, Kosova ishte shkëputur padrejtësisht dhe Serbia ishte viktimë e ndërhyrjes perëndimore. Nuk ishte një përpjekje e përkohshme, por një investim i vazhdueshëm diplomatik, politik dhe propagandistik.
E, teksa Serbia lobonte, Kosova jetonte me bindjen se e vërteta e vitit 1999 ishte e mjaftueshme për ta garantuar përgjithmonë mbështetjen e Perëndimit.
Sot po i shohim rezultatet e kësaj diference.
Më 15 nëntor, në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, u interpretua kënga serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila bart pretendime të hapura territoriale ndaj Kosovës. Marta Kos u distancua nga përmbajtja, duke thënë se ishte zgjedhje e muzikantëve. Por, çështja nuk mbyllet me kaq. Një aktivitet i organizuar në kuadër të Komisionit Evropian nuk është aheng privat ku askush nuk mban përgjegjësi për programin. Kush e përzgjodhi bendin, kush e miratoi programin dhe si u konsiderua e pranueshme që Kosova të përfaqësohej përmes një kënge që promovon pretendimet territoriale të Serbisë? Në institucionet e BE-së ka procedura organizative dhe përgjegjësi. Prandaj, arsyetimi se përgjegjësia ishte vetëm e muzikantëve nuk është përgjigje e mjaftueshme.
Por, Brukseli nuk është rasti i vetëm.
Në Hagë, Hashim Thaçi, një nga figurat kryesore të luftës çlirimtare dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, ish-president i Kosovës, më 16 shtator u dënua me 25 vjet burg në shkallë të parë për krime lufte. Më 17 nëntor mori edhe një dënim tjetër prej 17 muajsh në një proces të veçantë për vepra kundër administrimit të drejtësisë. Është e papranueshme që lufta e një populli për liri të përfundojë duke u identifikuar ndërkombëtarisht kryesisht përmes gjykimit të drejtuesve të saj, ndërkohë që regjimi që organizoi represionin, dëbimet dhe vrasjet e shqiptarëve mbetet jashtë kësaj qendre të vëmendjes.
Thaçi nuk është një çfarëdo emri në historinë e Kosovës. Është njëri prej njerëzve që udhëhoqën procesin politik të luftës dhe që qëndruan në themel të shtetformimit të Kosovës. Kur shpallësi i pavarësisë përfundon me dy dënime brenda dy muajsh, njëri prej tyre me 25 vjet burg, nuk mund të injorohet dimensioni politik dhe simbolik i këtij zhvillimi. Të dy aktgjykimet janë të shkallës së parë dhe mund t’i nënshtrohen apelit, por pesha e tyre publike është tashmë reale. Sepse, kur në qendër të vëmendjes vendosen vazhdimisht drejtuesit e palës që luftoi për çlirim, ndërsa historia e agresionit serb relativizohet, krijohet një barazim që nuk mund të justifikohet vetëm me terminologjinë juridike.
Kjo është pikërisht ajo që Serbia ka kërkuar për vite të tëra: jo domosdoshmërisht ta bindë botën se nuk ka kryer krime, por ta bindë se edhe pala shqiptare duhet të vendoset në të njëjtën peshore historike. Dhe, ky është ndryshimi më i rrezikshëm që po ndodh në perceptimin ndërkombëtar të Kosovës.
Por, përgjegjësia nuk është vetëm e Beogradit dhe Moskës. Është edhe e Prishtinës. Për 27 vjet nuk arritëm të ndërtojmë një diplomaci që do ta mbronte historinë tonë me të njëjtin intensitet me të cilin Serbia e sulmonte atë. Nuk krijuam një prani të qëndrueshme në universitetet, institutet kërkimore, qarqet politike dhe mediat ndërkombëtare. Nuk e kuptuam se mbështetja e vitit 1999 nuk ishte çek i bardhë për gjithë të ardhmen.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, mirënjohja nuk e zëvendëson diplomacinë dhe historia nuk mbrohet vetvetiu. Aleatët kanë interesa që ndryshojnë, qeveritë ndërrohen dhe kujtesa politike zbehet. Nëse ti nuk e mbron vazhdimisht pozicionin tënd, dikush tjetër do ta ndërtojë narrativën në vendin tënd.
Serbia këtë e bëri. Kosova jo.
Dhe, sot, 27 vjet pas luftës, në vend se të diskutojmë vetëm se si ta përshpejtojmë integrimin evropian, jemi të detyruar të reagojmë ndaj këngëve që kontestojnë territorin tonë në institucionet evropiane dhe ndaj interpretimeve që rrezikojnë ta barazojnë luftën çlirimtare me regjimin që kreu krime kundër nesh.
Serbia nuk e ndali luftën, vetëm e ndërroi frontin. Kosova e ndali mbrojtjen e së vërtetës. Dhe, sot po e kupton se në politikën ndërkombëtare, edhe ajo që dikur ishte e qartë mund të vihet në pikëpyetje kur ti nuk je aty për ta mbrojtur. /Telegrafi/