Specialja e konfirmon: Kemi miratuar vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë

Specialja e konfirmon: Kemi miratuar vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë

Written by

in

Specialja e konfirmon: Kemi miratuar vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë miratuar një vizitë humanitare në Kosovë për ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke autorizuar kështu udhëtimin e tij nga qendra e paraburgimit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, i cili ka bërë të ditur se Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretariatin që të organizojë vizitën.

Sipas Doyle, kjo është vizita e 15-të e një të paraburgosuri në Kosovë, e autorizuar nga gjyqtarët për arsye humanitare.

Ai ka sqaruar se vizitat e tilla lejohen në bazë të Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, ndërsa kërkesat shqyrtohen duke marrë parasysh rrethanat konkrete, urgjencën dhe ndjeshmërinë e situatës.

Doyle nuk ka dhënë detaje për arsyet konkrete humanitare që kanë çuar në miratimin e vizitës së Krasniqit.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues i ka udhëzuar Sekretariatin të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Jakup Krasniqin.Kjo është vizita e 15-të e tillë nga një i paraburgosur në Kosovë, e urdhëruar nga gjyqtarët e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare dhe e menaxhuar nga gjykata deri më sot.Vizita të tilla paraburgimi jepen sipas Rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të DHSK-së, të cilat u miratuan nga gjyqtarët dhe bazohen në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, duke përfshirë Nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve”, ka deklaruar Doyle.

Ai ka shpjeguar edhe mënyrën se si shqyrtohen kërkesat për vizita të tilla humanitare.

“Kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjyqtari ose gjyqtarët që merren me çështjen vlerësojnë të gjitha rrethanat në kohën kur është bërë kërkesa me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata të tilla. Ata vendosin bazuar në kuadrin ligjor të DHSK-së dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Doyle për Express.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali