Telekomi jep tender një-burimor mbi 80 mijë euro për mirëmbajtjen e sistemit të SMS-ve

Telekomi jep tender një-burimor mbi 80 mijë euro për mirëmbajtjen e sistemit të SMS-ve

Written by

in

Telekomi jep tender një-burimor mbi 80 mijë euro për mirëmbajtjen e sistemit të SMS-ve

Ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës ka dhënë tender me procedurë të negociuar në vlerë prej mbi 80 mijë eurove kompanisë Kosova Information Technology për mirëmbajtjen e SMS-ëve (platformën SMSC).

Në bazë të kontratës që ka parë Gazeta Insajderi, ky shërbim pritet të kryhet kryesisht nga distanca dhe ka një vlerë totale prej 81,990 euro, të cilën Telekomi do ta paguajë me këste çdo tre muaj pasi të vërtetohet se puna është kryer siç duhet.

Për të siguruar që shërbimi i mesazheve të mos bie, kompania KIT është zotuar për një orar strikt të reagimit kur ndodhin probleme teknike. Nëse bie komplet sistemi i SMS-ve (rast kritik), ata duhet të reagojnë brenda një ore (24 orë në ditë, çdo ditë të vitit) dhe ta gjejnë një zgjidhje brenda 5 orëve. Për probleme më të vogla apo të pjesshme, koha e reagimit zgjatet nga 5 orë pune deri në 2 ditë pune, varësisht sa e rëndë është prishja.

Në uebfaqen e saj zyrtare, KIT e paraqet Telekomin e Kosovës si një prej klientëve të saj dhe thotë se ka realizuar furnizimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e platformës SMS për Vala.

Kjo nuk është hera e parë që Telekomi i Kosovës ia beson mirëmbajtjen e sistemit SMSC kompanisë KIT. E njëjta kompani kishte fituar kontratë për këtë shërbim edhe në vitin 2020, në vlerë prej 69,999 eurosh, si dhe në vitin 2024, kur ishte shpërblyer me 73 mijë euro.

Në të tria rastet, përfshirë kontratën e fundit prej 81,990 eurosh, Telekomi ka ndarë gjithsej 224,989 euro për mirëmbajtjen e këtij sistemi.

Në vitin 2024, tenderi ishte zhvilluar përmes procedurës së negociuar pa publikim të kontratës, ndërsa sipas dokumentacionit të publikuar në atë kohë, në negociata kishte marrë pjesë vetëm kompania KIT.

Sipas të dhënave të regjistrit të prokurimit publik, KIT ka fituar gjithsej rreth 5.7 milionë euro nga kontratat publike, përmes 76 kontratave me 17 autoritete kontraktuese. 57 nga 76 kontrata janë fituar pa ofertë konkurruese.

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ish-ministren e MINT-it, Rozeta Hajdarin, ishin pjesëmarrës në Konventën e Industrisë së Drurit për vitin 2025, ku KIT kishte prezantuar zgjidhjet e tyre softuerike. /Insajderi.org/

Burimi: Insajderi