Prokuroria del me detaje për vrasjen në Suharekë: Ndodhi në prani të gruas dhe vajzës së mitur të viktimës

Prokuroria del me detaje për vrasjen në Suharekë: Ndodhi në prani të gruas dhe vajzës së mitur të viktimës

Written by

in

Prokuroria del me detaje për vrasjen në Suharekë: Ndodhi në prani të gruas dhe vajzës së mitur të viktimës

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike e regjistruar mesditën e sotme në Suharekë, ku një person mbeti i vrarë me armë zjarri në parkingun e një qendre tregtare, raporton Sinjali.

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 12:03, ndërsa i dyshuari për këtë krim është identifikuar me inicialet Rr.H.

Sipas të dhënave të para nga hetimet, krimi i rëndë dyshohet se ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të çastit. Ajo që e bën edhe më tronditëse ngjarjen është fakti se gjithçka dyshohet se ka ndodhur në prani të bashkëshortes dhe vajzës së mitur të viktimës, i cili është identifikuar me inicialet S.D.

Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar i Krimeve të Rënda, njësitet policore dhe ekipet e forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari Rr.H. është ndaluar për 48 orë. Ndaj tij ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale:

“Vrasja e rëndë” (nga neni 173 i KPRK-së)

“Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” (nga neni 366 i KPRK-së)

Prokuroria ka paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, ndërsa hetimet intensive për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje po vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali