Komisionerja evropiane për Zgjerim, ka konfirmuar se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës pas incidentit me këngën nacionaliste serbe, të interpretuar të dielën në mbrëmje në koncertin e organizuar nga Komisioni Evropian.
“Sa i përket pjesës muzikore: siç e thashë, grupit muzikor i dhamë udhëzime se çfarë donim, por nuk e miratuam secilën këngë veç e veç. Më vjen shumë keq që ndodhi kjo, sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen tonë dhe do ta marrë gjithë mbështetjen tonë. Isha në kontakt edhe me kryeministrin dhe i shpreha keqardhjen që kjo nuk duhej të kishte ndodhur“, tha Marta Kos
Këtë konfirmim komisionerja evropiane e bëri gjatë një debati në Senatin e Belgjikës. Aty, njëri nga senatorët kërkoi shpjegim se si ishte e mundur të ndodhte një lëshim i tillë dhe i kujtoi asaj peshën e këngës së interpretuar, e cila lidhet me pretendimet serbe ndaj Kosovës.
„Para se të hyja në politikë, kam qenë gazetar si ju, dhe në vitin 1999, si reporter lufte, kalova tre muaj me popullin e Kosovës. E përjetova nga afër represionin e egër të regjimit të Slobodan Millosheviqit, luftën. Mbi 14 000 të vrarë në Kosovë, viktima të pafajshme, spastrimin etnik me 850 000 kosovarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre në atë kohë, kampet e refugjatëve, bombardimet. Pastaj, për fat, kthimin fitimtar në Prishtinë dhe në atë që sot është bërë shtet i pavarur. Por, të dielën në mbrëmje, në hapjen e forumit të parë për zgjerimin këtu në Bruksel, ndodhi një gabim shumë i dëmshëm. Një këngë nacionaliste serbe, e lidhur me pretendimet territoriale serbe ndaj Kosovës, u këndua në skenë, në vetë zemrën e Evropës sonë“, tha Michel De Maegd, senator belg.
Gjatë debatit, komisionerja Kos përsëriti gjithashtu se edhe Kosova do të jetë pjesë e familjes evropiane. Ajo tha se është e paimagjinueshme që vendi të mbetet jashtë bllokut kur të anëtarësohen shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Burimi: RTKLive
