
Shkencëtarët në Kinë kanë shpikur një lloj të ri krehëri që stimulon rritjen e shpejtë të flokëve dhe mund të ndihmojë në rikthimin e flokëve te personat që vuajnë nga rënia e tyre.
Studiuesit pretendojnë se krehëri elektronik, i quajtur “Detangle”, është dukshëm më efektiv në rikthimin e rritjes së flokëve sesa trajtimet konvencionale kundër rënies së tyre, megjithëse pajisja mbetet ende në fazën eksperimentale.
Deri më tani, kjo teknologji është testuar vetëm te minjtë. Megjithatë, ekipi hulumtues nga Universiteti Beihang në Pekin thotë se rezultatet sugjerojnë se ajo mund të përdoret edhe te njerëzit për trajtimin e alopecisë androgjenetike, e njohur gjithashtu si tullacia e tipit mashkullor.
Krehëri elektronik është prezantuar në një studim të publikuar këtë muaj në revistën prestigjioze shkencore “Nature Communications”.
Studimi, i titulluar “Stimulimi elektrik përmes krehjes, i sinkronizuar me shpërndarjen e thellë të substancave, për rritjen e shpejtë të flokëve në rastet e alopecisë androgjenetike”, tregon se sistemi “Detangle” arriti rezultate më të mira se minoksidili, përbërësi aktiv i produktit të njohur kundër rënies së flokëve “Rogaine”.
Krehëri “Detangle” ka dhëmbëza elektronike të pajisura me “elektroda me lartësi të ndryshme dhe molekula të integruara për bartjen e substancave aktive”, të cilat krijojnë një fushë elektrike në zonat ku ndodhen folikulat e flokëve.
“Ky sistem rrit ndjeshëm efektivitetin e rikthimit të flokëve te minjtë me alopeci androgjenetike, duke përmirësuar rezultatet nga rreth 70 për qind në gati 100 për qind brenda një muaji, krahasuar me trajtimin konvencional me minoksidil, i cili aplikohet në lëkurë”, shkruan studiuesit në studim.
Burimi: Insajderi