Kos kontaktoi Kurtin pas incidentit në Bruksel: I shpreha keqardhje

Kos kontaktoi Kurtin pas incidentit në Bruksel: I shpreha keqardhje

Written by

in

Kos kontaktoi Kurtin pas incidentit në Bruksel: I shpreha keqardhje

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka konfirmuar se ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas incidentit me interpretimin e një kënge nacionaliste serbe në një koncert të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, më 15 nëntor.

Siç raporton REL, gjatë një debati të mbajtur më 17 nëntor në Komisionin për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, Kos ka bërë të ditur se Kurtit i ka shprehur keqardhje për atë që ndodhi.

“Isha në kontakt edhe me kryeministrin dhe i shpreha keqardhjen që ndodhi diçka që nuk duhej të kishte ndodhur”, ka deklaruar Kos.

Ajo ka konfirmuar se repertorin muzikor për koncertin e kishte përzgjedhur grupi muzikor i angazhuar për këtë ngjarje, ndërsa Komisioni Evropian, si organizator, nuk e kishte miratuar paraprakisht secilën këngë.

“Sa i përket pjesës muzikore: siç e thashë, grupit muzikor i dhamë udhëzime se çfarë donim, por nuk e miratuam secilën këngë veç e veç. Më vjen shumë keq që ndodhi kjo sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen tonë dhe do ta marrë gjithë mbështetjen tonë”, ka thënë Kos.

Burimi: Insajderi