
Gazetari i njohur gjerman i së përditshmes prestigjioze Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, ka rikthyer në vëmendje kritikat e ashpra ndaj Partisë Popullore Evropiane (EPP) për shkak të bashkëpunimit të deritanishëm me Partinë Progresive Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Përmes një reagimi në platformën X, Martens ka kujtuar se në shtator të vitit 2025 kishte publikuar një artikull ku argumentonte se mbështetja për partinë në pushtet në Serbi nuk i shërben as interesave të Gjermanisë, as Fondacionit Konrad Adenauer, e aq më pak familjes evropiane të partive të qendrës së djathtë.
Sipas gazetarit gjerman, SNS-ja e Vuçiqit nuk është trajtuar asnjëherë si një partner i besueshëm politik, ndërsa shkrimi i tij kishte nxitur debate të forta në qarqet politike të Berlinit, duke bërë që EPP-ja të niste një proces të brendshëm shqyrtimi. Martens kishte marrë pjesë edhe në një takim konfidencial të EPP-së për të prezantuar qëndrimet e tij, ku kishte dhënë një mesazh të prerë:
“Nëse i thoni jo Orbanit, nuk mund t’i thoni po Vuçiqit”, kishte deklaruar ai, duke vendosur në një peshore kryeministrin hungarez, Viktor Orban, dhe liderin serb.
Ndonëse argumentet e tij atëherë nuk kishin dominuar, Martens vlerëson se zhvillimet e fundit mund të sjellin kthesë. Megjithatë, ai ka lëshuar një paralajmërim se ndryshimi i kursit ndaj SNS-së nuk nënkupton dhënien e një besimi të verbër për lëvizjen studentore apo qeverinë e re në Beograd.
Duke analizuar politikën e jashtme të Serbisë, Martens ka theksuar se një shtet që refuzon t’i bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe vazhdon qasjen e vjetër nacionaliste ndaj Kosovës dhe fqinjëve, nuk mund të përfitojë mbështetje të pakushtëzuar.
Në fund të reagimit të tij, gazetari gjerman ka kërkuar një qasje të qartë nga Berlini dhe Brukseli:
“Në të njëjtën kohë, fqinjët proevropianë, si Mali i Zi dhe Kosova, meritojnë mbështetjen e plotë të Berlinit dhe Evropës”, ka shkruar Martens, duke bërë thirrje që institucionet evropiane të bëjnë dallimin e qartë mes proceseve demokratike dhe politikës reale të Beogradit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali