Çfarë ndodh me trupin kur ndërpreni ushtrimet për disa javë? Ekspertët japin përgjigjen

Çfarë ndodh me trupin kur ndërpreni ushtrimet për disa javë? Ekspertët japin përgjigjen

Written by

in

Çfarë ndodh me trupin kur ndërpreni ushtrimet për disa javë? Ekspertët japin përgjigjen

Ndërprerja e ushtrimeve fizike për disa ditë apo javë nuk do të thotë se i gjithë progresi i arritur deri atëherë humbet. Edhe pse trupi fillon të pësojë disa ndryshime gjatë periudhës së pushimit, rikthimi në formën e mëparshme është i mundur, për sa kohë që aktiviteti rifillon në mënyrë të kujdesshme dhe graduale.

Udhëtimet, angazhimet në punë apo problemet shëndetësore janë disa nga arsyet që mund t’i detyrojnë njerëzit të ndërpresin përkohësisht rutinën e ushtrimeve. Ndonjëherë, një pauzë prej disa ditësh zgjatet në javë, duke krijuar shqetësimin se përpjekjet dhe rezultatet e arritura janë humbur.

Megjithatë, sipas një artikulli të publikuar nga The New York Times, kondicioni fizik nuk zhduket brenda natës. Për më tepër, ditët e pushimit janë pjesë e rëndësishme e programeve të stërvitjes, pasi u japin muskujve kohë për t’u rikuperuar.

Ekspertët theksojnë se personat që kanë bërë rreth një javë pushim zakonisht mund të rikthehen shpejt në nivelin e mëparshëm të aktivitetit. Megjithatë, pjesët e ndryshme të formës fizike nuk ndikohen me të njëjtin ritëm.

Çfarë ndodh me trupin kur ndërpriten ushtrimet?

Ndryshimet e para mund të vërehen që gjatë javës së parë pa ushtrime aerobike, si vrapimi apo çiklizmi. Në këtë periudhë fillon të ulet vëllimi i plazmës së gjakut, që nënkupton se zemra pompon më pak gjak me çdo rrahje.

Si rezultat, kur rifilloni aktivitetin fizik, rrahjet e zemrës mund të jenë më të shpejta dhe lodhja mund të shfaqet më herët, edhe gjatë ushtrimeve që më parë i përballonit pa vështirësi.

Pas 10 deri në 14 ditësh pa aktivitet aerobik, fillon të ulet edhe sasia maksimale e oksigjenit që trupi mund të shfrytëzojë gjatë ushtrimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në kondicionin fizik.

Shkalla e kësaj rënieje ndryshon nga personi në person. Njerëzit që ushtrohen rregullisht mund të vërejnë një rënie më të theksuar pas dy javësh pushim, pasi kanë një nivel më të lartë kondicioni për të humbur. Në këtë proces ndikon edhe gjenetika, e cila përcakton pjesërisht se sa shpejt trupi e zhvillon apo e humb këtë kapacitet.

Pas rreth një muaji pa aktivitet fizik, fillojnë të zbehen edhe disa nga përshtatjet që zemra ka zhvilluar përmes ushtrimeve, veçanërisht aftësia për të pompuar më shumë gjak në trup. Kjo mund të ndikojë në qëndrueshmërinë fizike.

Ndërkohë, aftësitë që kërkojnë shpejtësi, fuqi dhe koordinim, si gjuajtja e topit në basketboll, zakonisht bien më ngadalë sesa kondicioni kardiovaskular.

Pas rreth një muaji mund të nisë edhe humbja e masës muskulore dhe e forcës. Ky proces zhvillohet më ngadalë nëse personi vazhdon aktivitetet e zakonshme të përditshme, ndërsa përshpejtohet kur qëndron plotësisht i palëvizshëm për shkak të një sëmundjeje.

Të moshuarit janë më të rrezikuar nga humbja më e shpejtë e masës muskulore sesa të rinjtë, ndërsa mund ta kenë edhe më të vështirë rikthimin e saj.

Si ta ruani formën fizike gjatë pushimit?

Nëse nuk jeni duke u përballur me ndonjë sëmundje apo lëndim, por thjesht nuk keni kohë për rutinën e zakonshme, edhe stërvitjet më të shkurtra mund t’ju ndihmojnë ta ruani kondicionin.

Për ta mirëmbajtur formën fizike nevojitet më pak aktivitet sesa për ta ndërtuar atë nga fillimi. Ekspertët sugjerojnë që, nëse keni mundësi, të realizoni rreth gjysmën e seancave të zakonshme të forcës ose ushtrimeve kardio, duke ruajtur 60 deri në 80 për qind të intensitetit të zakonshëm.

Gjatë kësaj periudhe mund të qëndroni aktivë edhe përmes aktiviteteve të tjera, si ecjet e gjata, shëtitjet në natyrë apo ngasja e biçikletës. Megjithatë, është e rëndësishme të mos harroni se pushimi shërben edhe për çlodhjen e trupit.

Si duhet të riktheheni në stërvitje pas një pauze?

Nëse ndërprerja ka zgjatur vetëm rreth një javë, në shumicën e rasteve mund të vazhdoni nga niveli ku e keni lënë. Por, nëse pauza është shkaktuar nga një lëndim, operacion apo sëmundje serioze, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun përpara se të rifilloni aktivitetin fizik.

Pas një ndërprerjeje më të gjatë, rikthimi duhet të bëhet gradualisht. Fillimisht rekomandohet të rritet kohëzgjatja e ushtrimeve dhe vetëm më pas intensiteti i tyre.

Për shembull, nëse keni qëndruar dy javë pa ushtrime, gjatë javës së parë të rikthimit mund të synoni 50 deri në 70 për qind të vëllimit të mëparshëm të stërvitjes. Në javën e dytë, kjo përqindje mund të rritet në 70 deri në 90 për qind, varësisht nga gjendja fizike dhe reagimi i trupit.

Ekspertët këshillojnë që të mos tentoni ta kompensoni të gjithë kohën e humbur përmes ushtrimeve intensive, pasi sforcimi i tepërt brenda një kohe të shkurtër nuk e përshpejton domosdoshmërisht rikthimin e formës fizike.

“Mos e krahasoni veten me atë që ishit më parë dhe as me atë që dëshironi të bëheni. Përqendrohuni te gjendja ku ndodheni tani”, ka këshilluar trajnerja Gemma Ward.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali