KRU “Hidromorava” në Gjilan ka njoftuar konsumatorët në fshatin Dobërçan se uji nuk duhet të përdoret për asnjë qëllim deri në një njoftim të radhës, për shkak të rritjes së nivelit të turbullirës.
Në njoftimin e kompanisë thuhet se kjo gjendje është shkaktuar nga reshjet e fundit dhe depërtimi i ujërave sipërfaqësore në rezervuarin e ujit.
“Për këtë arsye, deri në njoftimin e radhës, uji nuk duhet të përdoret për asnjë qëllim, përfshirë pirjen, përgatitjen e ushqimit dhe përdorimin shtëpiak”, thuhet në njoftimin e KRU “Hidromorava”.
Nga kompania kanë bërë të ditur se konsumatorët do të njoftohen me kohë për ndryshimin e gjendjes dhe rikthimin e mundësisë së përdorimit të ujit. /Telegrafi/