Nis samiti historik trepalësh mes liderëve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë

Nis samiti historik trepalësh mes liderëve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë

Written by

in

Ka nisur në qytetin kinez të Shenzhenit samiti historik trepalësh mes liderëve të Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë.

Para takimit, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se SHBA-ja dhe Kina dëshirojnë të bashkëpunojnë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, transmeton Telegrafi.

“Po kërkojmë të ndihmojmë në lidhje me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Do të doja ta shihja atë të përfundonte dhe mendoj se mund të flas në emër të të dyve”, tha Trump.

Deklarata e tij erdhi para takimit të parë trepalësh të këtij formati, të cilin Pekini e ka paraqitur si një përpjekje për “paqen botërore”.

Para samitit, Trump zhvilloi një takim të veçantë me presidentin kinez, Xi Jinping. Ky ishte takimi i tyre i tretë i rëndësishëm gjatë këtij viti.

Presidenti amerikan vlerësoi marrëdhëniet personale me homologun kinez dhe interesin e përbashkët për transportimin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është shndërruar në një nga pikat kryesore të sulmeve gjatë luftës me Iranin.

Trump sugjeroi gjithashtu se do t’i kërkonte Xi-së të blinte më shumë produkte bujqësore amerikane.

“Do t’ju kërkoj të bëni më shumë për fermerët tanë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Xi deklaroi se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës kanë qenë “përgjithësisht të qëndrueshme dhe janë përmirësuar” gjatë presidencës së Trumpit.

“Përpjekjet që keni bërë janë të dukshme për të gjithë dhe do të mbeten në histori”, tha presidenti kinez.

Trump shtoi në agjendë edhe një takim të veçantë me presidentin rus, Vladimir Putin. Ky është takimi i tyre i parë që nga bisedimet në Alaskë vitin e kaluar, të cilat nuk arritën të prodhonin një marrëveshje për uljen e tensioneve dhe përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Gjëra të mrekullueshme mund të dalin nga kjo – ose të paktën mund të nisin”, deklaroi Trump pasi iu bashkua Putinit për takimin dypalësh në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Ai iu referua homologut rus si “miku im”.

Takimi trepalësh në Kylin Villa, në Shenzhen, pritet të ketë më shumë rëndësi simbolike sesa të prodhojë marrëveshje konkrete, vlerësojnë analistët. Ai po mbahet në një kohë kur ofensiva ruse në Ukrainë po i afrohet përvjetorit të pestë.

Trump po përballet ndërkohë me pasojat e luftës me Iranin, e cila ka kufizuar furnizimet me naftë dhe ka rritur çmimet për konsumatorët në mbarë botën. Në të njëjtën kohë, Kina po synon të forcojë ndikimin e saj në Azinë Lindore.

Samiti ka shtuar shqetësimet se tre liderët mund të përpiqen ta ndajnë botën në zona ndikimi, duke marrë vendime që prekin të ardhmen e Ukrainës pa përfshirjen e Kievit apo të vendeve evropiane.

Pekini, Uashingtoni dhe Moska kanë dhënë versione të ndryshme për temat që do të trajtohen në takimin trepalësh, i cili po zhvillohet në kuadër të forumit APEC.

Fillimisht, Uashingtoni kishte sinjalizuar se lufta në Ukrainë nuk do të ishte pjesë e agjendës, por më vonë Trump deklaroi se çështja do të diskutohej. Xi, ndërkaq, nuk e konsideron konfliktin si një problem që Kina duhet ta zgjidhë.

Kremlini ka thënë se agjenda nuk është përcaktuar përfundimisht, por ka pranuar se do të jetë e vështirë të shmanget diskutimi për Ukrainën. Takimi pritet të zgjasë “jo më shumë se një orë”.

Ndërkohë, Gjermania pritet të organizojë të enjten një takim të aleatëve të Ukrainës në kuadër të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, ku do të marrin pjesë edhe të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff.

Kina ka deklaruar vetëm se tre liderët do të zhvillojnë “shkëmbime të thelluara mbi ruajtjen e paqes botërore dhe promovimin e stabilitetit strategjik në marrëdhëniet mes fuqive të mëdha”. /Telegrafi/