Qeveria gjermane ka miratuar një projektligj që parasheh lehtësimin e kontratave të punës me afat të caktuar, duke u mundësuar kompanive që punëtorët t’i punësojnë për një periudhë deri në katër vjet, pa qenë e nevojshme të paraqesin një arsye të veçantë për këtë lloj kontrate.
Sipas projektligjit të miratuar nga kabineti qeveritar më 18 nëntor, afati maksimal i kontratave të tilla do të dyfishohet nga dy në katër vjet. Brenda kësaj periudhe, kontrata do të mund të vazhdohet deri në gjashtë herë, krahasuar me tri herë sa lejohet aktualisht.
Rregullat e reja parashihen të vlejnë për punësimet e bëra deri më 31 dhjetor 2030 dhe synojnë t’u japin kompanive më shumë fleksibilitet në një periudhë sfidash ekonomike, shkruan mediumi gjerman, Tagesschau.
Ndryshimet pritet të prekin veçanërisht të rinjtë dhe personat që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, të cilët shpesh punësohen me kontrata të përkohshme.
Ministri gjerman i Punës, Alexander Schweitzer, tha se qëllimi i reformës është ruajtja e vendeve ekzistuese të punës, mundësimi i punësimeve të reja dhe krijimi i kushteve për vende pune të orientuara drejt së ardhmes.
Projektligji parasheh gjithashtu lehtësimin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për personat me të ardhura vjetore mbi rreth 180 mijë euro, përmes pagesës së kompensimit financiar.
Ndryshimet për këtë kategori do të zbatoheshin 12 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Pakoja përfshin edhe zgjerimin e mundësive për punë të dielave dhe gjatë festave zyrtare në furrat e bukës, pastiçeritë dhe bibliotekat publike, si dhe forcimin e të drejtave të përfaqësimit të punëtorëve në ndërmarrjet e mëdha.
Projektligji tashmë do të shqyrtohet nga Bundestagu, ndërsa qeveria synon që ndryshimet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit 2027./Telegrafi/