
Një zyrtar policor në Kaçanik është arrestuar nën dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, pasi dyshohet se ka përdorur forcë ndaj një qytetari edhe pasi e kishte prangosur.
Sipas njoftimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), rasti ka ndodhur më 17 nëntor, pas orës 15:00, në fshatin Kaçanik i Vjetër, ku një patrullë me katër zyrtarë policorë e kishte arrestuar një qytetar në oborrin e shkollës së fshatit.
Nga hetimet fillestare dyshohet se njëri prej policëve ka tejkaluar autorizimet ligjore, duke përdorur forcë ndaj qytetarit edhe pasi e kishte prangosur. Si pasojë, qytetari ka pësuar lëndime trupore.
Pas arrestimit, qytetari ishte dërguar në stacionin policor. Megjithatë, sipas IPK-së, zyrtarët e përfshirë nuk e kishin njoftuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra, ndonëse kishin pretenduar se qytetari kishte kryer vepër penale.
Më pas, qytetari ishte liruar, ndërsa ndaj tij ishte shqiptuar një tiketë kundërvajtëse për prishje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht për sulm verbal.
IPK ka bërë të ditur se ndaj zyrtarit policor të arrestuar kishte pranuar edhe ankesa të tjera nga qytetarët, të cilat mund të jenë relevante në vlerësimin e veprimeve të tij zyrtare.
Me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndërkohë, hetuesit e IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit të arrestuar, si dhe të tre policëve të tjerë që ishin pjesë e patrullës dhe të përfshirë në rast.
Inspektorati ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë, në kuadër të mandatit të tij për trajtimin e dyshimeve për keqpërdorim të detyrës dhe tejkalim të autorizimeve policore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali