Gati për borën dhe ngricat? MIT koordinon masat për mirëmbajtjen e rrugëve

Gati për borën dhe ngricat? MIT koordinon masat për mirëmbajtjen e rrugëve

Written by

in

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka intensifikuar përgatitjet për sezonin dimëror, duke zhvilluar një takim koordinues me Policinë e Kosovës dhe operatorët ekonomikë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugëve.

Sipas njoftimit të ministrisë, në takim është diskutuar për gatishmërinë e ekipeve në terren, gjendjen e makinerive për pastrimin e borës, si dhe sigurimin e sasive të nevojshme të kripës për trajtimin e ngricave.

Ministria ka bërë të ditur se mirëmbajtja e rrugëve realizohet gjatë gjithë vitit, ndërsa ndërhyrjet përshtaten në varësi të kushteve atmosferike dhe sezonit.

Njëkohësisht, drejtuesve të automjeteve u është bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë vozitjes, veçanërisht në rastet kur në rrugë ka borë dhe ngrica.

MIT ka rikujtuar se pajisjet dimërore janë të detyrueshme nga 15 nëntori deri më 15 mars, duke u bërë thirrje shoferëve që para çdo udhëtimi të kontrollojnë gjendjen e gomave dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës. /Telegrafi/