
Agim Bahtiri, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, ka mbërritur këtë të enjte në sallën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritet të dëshmojë në gjykimin ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt.
Çështja lidhet me këmbimin e një pjese të pronës së ish-Bankosit në Mitrovicë. Në kohën që mbulon aktakuza, Mujka ishte nënkryetar i komunës, ndërsa Muzliukaj drejtonte Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë. Të dy akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas Prokurorisë Speciale, 139 metra katrorë të pronës së ish-Bankosit ishin paraqitur si pronë komunale për t’u këmbyer me një parcelë private prej 102 metrash katrorë në rrugën “Ali Zeneli”. Prokuroria pretendon se të akuzuarit e dinin se prona nuk i përkiste komunës dhe se nga këmbimi Agjencisë Kosovare të Privatizimit i ishte shkaktuar dëm prej 125 mijë e 100 eurosh.
Mujka, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, akuzohet edhe për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë. Sipas aktakuzës, ai nuk i kishte deklaruar 60 mijë e 50 euro në para të gatshme, të cilat iu gjetën dhe iu sekuestruan gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në korrik të vitit 2023.
Mujka dhe Muzliukaj u deklaruan sërish të pafajshëm në seancën e 19 tetorit 2026, e cila vazhdoi me fjalët hyrëse të palëve.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali