
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, e dyshuar për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, pasi dyshohet se përdori autorizime të falsifikuara për shitjen e pronave të xhaxhait të saj në Kosovë, duke u shkaktuar dy personave dëme pasurore në vlerë prej gjithsej 320 mijë eurosh.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura me inicialet S.C. dyshohet se më 13 nëntor 2024, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka paraqitur një autorizim të falsifikuar, kinse i ishte dhënë nga xhaxhai i saj, M.C., për shitjen e pronave të tij në Kosovë.
Dokumenti pretendohej të ishte bazuar në një autorizim të vitit 2012, të lëshuar pranë një noteri në Maqedoninë e Veriut. Përmes këtij dokumenti, e pandehura dyshohet se ka vënë në lajthitje gjykatën, e cila më pas ka nxjerrë aktgjykim për njohjen e së drejtës së pronësisë së L.H. mbi disa parcela në zonën kadastrale Petroviç, në Komunën e Shtimes.
Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve është kryer vepra penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Përveç kësaj, sipas aktakuzës, e pandehura më 20 tetor 2016, në Ferizaj, dyshohet se e ka mashtruar M.K.-në, duke i fshehur faktin se nuk kishte autorizim të vlefshëm për shitjen e pronës së xhaxhait të saj.
I dëmtuari dyshohet se kishte paguar shuma të ndryshme parash përmes bankës “Raiffeisen”, në llogarinë e të pandehurës, bazuar në fletëpagesat bankare. Dëmi i pretenduar në këtë rast arrin në 200 mijë euro.
Një tjetër rast i përshkruar në aktakuzë lidhet me vitin 2018, kur e pandehura dyshohet se ka mashtruar edhe L.H.-në, duke përdorur të njëjtin autorizim të falsifikuar për shitblerjen e pronës së xhaxhait të saj.
Sipas Prokurorisë, palët kishin lidhur një parakontratë për shitblerjen e pronës në vlerë prej 170 mijë eurosh, me marrëveshjen që 120 mijë euro të paguheshin deri në vitin 2020, ndërsa 50 mijë eurot e mbetura pas marrjes së fletës poseduese. E pandehura dyshohet se ka përdorur dokumentin e falsifikuar edhe në procedurë gjyqësore, ndërsa dëmi i pretenduar ndaj këtij të dëmtuari është 120 mijë euro.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali