Tirana nuk mundi të bëhet qendër tregtare dhe artizanale përpara shekullit XX

Tirana nuk mundi të bëhet qendër tregtare dhe artizanale përpara shekullit XX

Written by

in

Nga: Machiel Kiel[1]
Përgatiti: Telegrafi.com

Kryeqyteti i këndshëm modern dhe qyteti më i madh i Shqipërisë është një ndër qendrat më të reja urbane të vendit. Qyteti ka një vendndodhje të pëlqyeshme, në një pozitë ku ultësirat e qendrës së vendit shkrihen ngadalë me kodrat e masivit të Dajtit, faqet e gjelbërta të të cilit mbizotërojnë vijën e ndryshueshme të horizontit të këtij qyteti.

Si vendbanim Tirana i përket epokës së Mesjetës. Vendi përmendet në betejat e Skënderbeut me osmanët gjatë shekullit XV, por qyteti u ndërtua shumë kohë më pas. Procesi i zhvillimit të tij në një qytet duhet të ketë qenë i ngjashëm me atë të Korçës. Më 1614, një zotëri feudal, Sulejman Pashë Bargjini, nga fshati i Mulletit pranë Petrelës, themeloi një xhami, një hamam dhe një imaret në ose pranë fshatit të Tiranës dhe e ngriti kështu atë në rangun e kasabasë. Tirana duhet të ketë përfituar nga rrënimet e ndonjë kalaje të vjetër në zonat përreth, e tillë si Petrela, dhe gjatë fundit të shekullit XVIII edhe nga Kruja, të cilat i kishin humbur trajtat e tyre të rëndësisë së mëparshme ushtarake.

Një tjetër faktor i rëndësishëm ishte edhe bujqësia përgjithësisht e begatë e brendatokës. Prania e një xhamie të madhe dhe një tregu ishin dy tiparet kryesore që e dallonin ligjërisht një fshat osman nga një qytet i vogël.

Roli i qendrës bujqësore ishte aq mbizotërues sa Tirana nuk mundi të bëhet një qendër tregtare dhe artizanale përpara shekullit XX. Kjo pasqyrohet në stilin e shtëpive të Tiranës dhe në planimetrinë e qytetit; kjo e fundit mbeti tipikisht osmane, një qytet i vogël me kopshte, i ndërtuar sipas një planimetrie të çrregullt. Situata nisi të ndryshojë vetëm pas viteve 1920.

Evlia Çelebiu e vizitoi Tiranën më 1072 H (1661/62) gjatë rrugës nga Elbasani për në Lezhë dhe Shkodër. Pasi kaloi Qafë-Krrabën ai mbërriti në kasabanë e Tiranës, e cila ishte një vojvodllëk në sanxhakun e Ohrit dhe selia e një kadiu me një rrogë ditore prej 150 akçesh; “një shehër (şehir) që ndodhet në një fushë të gjerë, me xhami të panumërta, hane, hamame, rrugë pazari, bahçe dhe kopshte me drurë frutorë. Gjithë ndërtesat bamirëse dhe fetare (xhamitë, hamamet, imaretet, etj.) janë të mbuluara me tjegulla të kuqe”.

Edhe pse ky përshkrim shabllon nuk pasqyron asnjë hollësi, ai sidoqoftë e përshkruan Tiranën si një vend me një rëndësi të caktuar. Vërejtja e tij se të gjitha ndërtesat janë të mbuluara me tjegulla nënkupton se për Evlia Çelebiun ato janë provinciale. Ndërtesat e rëndësishme osmane, ato të cilësisë së parë, mbuloheshin gjithmonë me plumb. Fakti se përgjatë gjithë shekujve XVII dhe XVIII qyteti nuk u bë selia e një kadiu (pavarësisht pohimit të kundërt të Evlia Çelebiut) dëshmon për përmasat dhe rëndësinë e qytetit gjatë kësaj periudhe.

Një ngjarje e rëndësisë së lartë për zhvillimin e mëvonshëm të Tiranës ishte ndërtimi i Xhamisë së Madhe të Molla Beut dhe djalit të tij Haxhi Et’hem Beut, e cila nisi në dekadën e fundit të shekullit XVIII. Shpërngulja e selisë së familjes më të fuqishme feudale të Shqipërisë së Mesme, Toptanasve, nga Kruja për në Tiranë, që ngjau gjithashtu gjatë fundit të shekullit XVIII, ishte po ashtu një ndikim stimulues për zhvillimin e qytetit. Tyrbja e Kaplan Pashës, Toptanasi i parë që u vendos në Tiranë, ruhet ende (1978).

Tirana e shekullit XIX linte përshtypje të ngrohta begatie dhe pastërtie ndër udhëtarët e Perëndimit. Von Hahn u josh nga pikturat e gëzueshme të xhamive dhe gjelbërimi i tyre përreth me plepa e selvi. Rrethinat e qytetit ishin pjellore dhe të begata. Në kohën e tij, më 1854, Tirana numëronte 2.000 shtëpi, të gjitha, përpos 100 syresh, të banuara nga myslimanë. Ippen shënon përafërsisht të njëjtat tipare të përgjithshme dhe përmend se qyteti ishte duke u zgjeruar. Në kohën e tij, Tirana numëronte 15.000 banorë, prej të cilëve 13.000 ishin myslimanë dhe thuajse 1.300 të krishterë ortodoksë. Justin Godart më 1920 krijoi gjithashtu një përshtypje të mirë për Tiranën, edhe pse numri i banorëve duket të ketë rënë si pasojë e Luftërave të Ballkanit dhe Luftës së Parë Botërore. Godart e shënon numrin e banorëve të qytetit 13.000 -14.000. Fetarisht, Tirana ishte një qendër tipike e Shqipërisë së Mesme, në përbërjen e së cilës shquheshin gegët e veriut dhe toskët e jugut. Përbërja pasqyrohet në faktin se thuajse gjysma e popullatës përpara Luftës së Parë Botërore i përkiste tarikatit rufai të dervishëve, shumë popullor ndër gegë, dhe gjysma tjetër i përkiste tarikatit bektashi, i cili njihet të ketë qenë shumë më i pëlqyer nga toskët. Kështu, mendësia disi përshtatëse, por shumë e kulturuar dhe e gjerë e toskëve ishte po aq fort e përfaqësuar sa edhe konservatorizmi i rreptë suni dhe temperamenti shpesh ashpërsisht heroik i gegëve. Tirana e vonë osmane gjatë fillimeve të shekullit XX mendohet të ketë përmbajtur 40 xhami, teqe dhe mesxhide.

Më 1920 Tirana u shpall kryeqyteti i shtetit të ri. Ky funksion i ri u bë arsyeja kryesore e begatisë së tashme të qytetit. Qyteti që mbulonte një hapësirë prej 1 deri në 1.5 kilometrash katrorë, e që deri atëherë e kishte ruajtur planimetrinë e tij tipike orientale, nisi të ndryshojë me shpejtësi. Gjatë shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Tirana numëronte 30.000 banorë. Gjatë betejës për çlirimin e qytetit u shkatërruan disa lagje të tij, duke përfshirë edhe xhaminë historike të Sulejman Pashë Bargjinit. Pas luftës qyteti u modernizua gjerësisht; më 1971 numëronte më tepër se 200.000 banorë. Gjatë Revolucionit Kulturor të vitit 1967 u shkatërruan të gjitha xhamitë që ruheshin, përveç asaj të Haxhi Et’hem Beut. Kjo xhami tepër e rëndësishme e Tiranës është një prej lidhjeve të saj të pakta me të shkuarën, së cilës Tirana moderne i ka kthyer shpinën.

Poeti Shaban Hulusi Beu, djali i Mustafa Pashë Toptanit, lindur në Krujë në vitin 1189 H (1775/76), jetoi dhe vdiq në Tiranë më 1249 H (1833/34). Ka shumë të ngjarë që ky të jetë autori i një prej mbishkrimeve të Xhamisë së Et’hem Beut. /Telegrafi/

__________________

[1] Kiel, Machiel. Arkitektura osmane në Shqipëri. [përkth.] Holta Vrioni. Stamboll : Qendra Kërkimore për Historinë, Artin dhe Kulturën Islame, 2012. fq. 378-380.