128 franga për 15 minuta në taksi, çmimet marramendëse në Cyrih shkaktojnë reagime

128 franga për 15 minuta në taksi, çmimet marramendëse në Cyrih shkaktojnë reagime

Written by

in

Çmimet e taksive në qytetin zviceran të Cyrihut kanë shkaktuar pakënaqësi te qytetarët dhe turistët, pasi udhëtimet e shkurtra po kushtojnë shuma të larta.

Sipas mediumit zviceran Watson, një person i verbër ka paguar 128 franga (afërsisht 138 euro) për një udhëtim prej vetëm 15 minutash, apo rreth 8.50 franga për minutë.

Një tjetër pasagjer ka paguar 182 franga për një distancë prej 11 kilometrash, ndërsa politikani Ueli Bamert ka treguar se kishte zbritur nga taksia pas vetëm 1.5 kilometrash, kur fatura kishte arritur në 70 franga, transmeton Telegrafi.

Këto raste lidhen me ndryshimet ligjore që hynë në fuqi në vitin 2024 në kantonin e Cyrihut, përmes të cilave u hoqën kufijtë maksimalë të tarifave të taksive.

Kështu, shoferët fituan të drejtën t’i përcaktojnë vetë çmimet, me kusht që tarifat të jenë të paraqitura qartë në automjete.

Ankesat për çmimet e larta janë shtuar, ndërsa edhe përfaqësues të industrisë së taksive kanë kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve.

Edhe Cyrih Turizmi ka konfirmuar se ka pranuar ankesa nga vizitorët.

Ndërkohë, udhëtarëve u rekomandohet që para nisjes të kontrollojnë tarifat dhe, kur është e mundur, të dakordohen për një çmim fiks, në mënyrë që të shmangin faturat e papritura./Telegrafi/