Qiratë në Zvicër, dallime të mëdha nga një kanton në tjetrin: në disa qytete banesa kushton mbi 3 mijë franga në muaj

Qiratë në Zvicër, dallime të mëdha nga një kanton në tjetrin: në disa qytete banesa kushton mbi 3 mijë franga në muaj

Written by

in

Qiratë e banesave në Zvicër ndryshojnë ndjeshëm nga një kanton në tjetrin, ndërsa dallimet janë veçanërisht të mëdha mes zonave urbane dhe atyre rurale.

Të dhënat e publikuara nga mediumi zviceran Watson, bazuar në analizën e kompanisë së pasurive të paluajtshme Lookmove, tregojnë se kantonet e Cyrihut dhe Zugut janë ndër zonat më të shtrenjta për të jetuar.

Sipas analizës, një banesë me 3 deri në 3.5 dhoma në qytetin e Cyrihut kushton mesatarisht 3.076 franga në muaj.

Në kantonin e Zugut, çmimi mesatar arrin në 3.433 franga në muaj, bazuar në 42 shpallje të analizuara.

Në anën tjetër, në disa pjesë të Zvicrës perëndimore, në kantonin e Bernës dhe në Jura, qiratë janë dukshëm më të ulëta.

Në qytetin La Chaux-de-Fonds, për periudhën nga gushti deri në tetor 2025, qiraja mesatare për banesat me 3 deri në 3.5 dhoma ishte vetëm 1.165 franga në muaj, transmeton Telegrafi.

Të dhënat tregojnë se zonat përreth Liqenit të Gjenevës, Liqenit të Cyrihut, Liqenit të Lucernës dhe Liqenit të Luganos kanë disa nga çmimet më të larta të banimit në vend, ndërsa qiratë më të përballueshme gjenden kryesisht në kantonet Neuchatel, Bernë dhe Jura, si dhe në pjesën veriore të Ticinos.

Sipas vlerësimeve të Comparis, qiratë në Zvicër janë rritur për rreth 11% ndërmjet viteve 2020 dhe 2025.

Kjo nënkupton se personat që ndërrojnë banesë shpesh përballen me kosto dukshëm më të larta sesa në kontratën e mëparshme.

Analiza e Lookmove bazohet në të dhëna të mbledhura nga më shumë se 150 burime të tregut të patundshmërive.

Megjithatë, kompania paralajmëron se për shkak të metodologjisë së mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave, mund të ketë një marzh gabimi deri në 10%./Telegrafi/