Musliu e pyet nëse ende mendon se “familjarët janë për dasma”, Kurti: S’do të thotë t’i persekutojmë apo t’i largojmë nga Kosova

Musliu e pyet nëse ende mendon se “familjarët janë për dasma”, Kurti: S’do të thotë t’i persekutojmë apo t’i largojmë nga Kosova

Written by

in

Musliu e pyet nëse ende mendon se “familjarët janë për dasma”, Kurti: S’do të thotë t’i persekutojmë apo t’i largojmë nga Kosova

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu e pyeti kryeministrin Albin Kurti se a mendon sikur dikur se “farefisi dhe familjarët janë për dasma, e jo për institucione”.

Musliu po i referohej punësimeve të familjarëve të zyrtarëve të lartë qeveritarë nëpër institucione.

“Zoti Kurti, në vitin 2019, gjatë fushatës zgjedhore, patët deklaruar publikisht se farefisi dhe familjarët janë për dasma, e jo për institucione. Pyetja ime konkrete është: a mendoni edhe sot ashtu, a e keni atë qëndrim apo qëndrimi juaj ka ndryshuar?” pyeti ajo.

Kurti, pasi mori fjalën, fillimisht saktësoi se atë deklaratë e kishte bërë “jo në vitin 2019, por në vitin 2021”.

“Ju e keni shkurtuar deklaratën në pak fjalë, por unë i qëndroj prapa asaj. Luftim i korrupsionit dhe nepotizmin pa asnjë koncesion apo kompromis”, tha ai.

“Nëse e mbani mend dekadën e kaluar, në top tri brengat kryesore të qytetarëve të Republikës kanë qenë rregullisht, nga viti në vit, madje nga muaji në muaj, korrupsioni dhe papunësia. Sot korrupsioni dhe papaunësia nuk janë në top 3, as në top 5 më”, tha Kurti.

“Dhe çka ua merr mendja? Pse korrupsioni më nuk është në top 5 brengat kryesore të qytetarëve të Republikës? Sepse ruhet paraja publike dhe nuk ka më për tendera as ryshfet në fillim, as haraç në fund”, shtoi kryeministri.

Kurti tha se kishte thënë se në institucione duhet të vijnë “njerëz të ndershëm e të dijshëm, patriotë e profesionistë”, por jo “dikush që s’ka familje, as farefis”.

“Ajo çfarë kam thënë unë është që në përfaqësimin politik e institucional duhet të vijnë njerëz të ndershëm e të dijshëm, patriotë e profesionistë, e këto të jenë kriteret themelore, e kurrsesi familja apo prejardhja farefisnore. Unë nuk kam thënë që duhet të vijë dikush që s’ka familje, as farefis, por unë kam thënë që mos me qenë familja dhe farefisi lidhja, kushti dhe mundësia nëpërmjet së cilës dikush punësohet. Tash, kjo nuk nënkupton që do të duhej familjarët e farefisin e secilit ta persekutojmë apo largojmë nga Kosova dhe gjithashtu, kur kam thënë që ‘familja është për dasma e aheng’, kam thënë që ‘veç në dasma e ahengje dikush të thërret sepse të ka familjar apo mik’. Pra, kriteri kryesor është afërsia familjare. Ndërkaq në punë e punësim, ky nuk do të duhej dhe nuk është më kriter qysh ka qenë”, tha ai.

Kurti tha se familjarët e tij nuk janë avancuar që kur ai u bë kryeministër i vendit.

“Ma gjeni një Kurti që u avancu ndokund. Absolutisht nuk mund ta gjeni asnjë që për shkak të lidhjeve me mua përparoi diku”, tha ai.

Pasi deputetja Musliu ia numëroi punësimet, Kurti insistoi se “dukuria e nepotizmit dhe korrupsionit nuk ekziston më në Kosovë”. Tha se “këtë e thonë edhe raportet vendore, edhe ndërkombëtare”.

“Për emrat që i lexuat ju, do të duhej të na tregonit cili prej emrave nuk ka qenë në krye të listës kur është angazhuar dhe që lidhja familjare paska bërë që t’i kapërcejë ata që kanë qenë më të zotë dhe personi në fjalë qenka punësuar. Kjo është pyetja. Nuk është pyetja me na i lexu kënd i kemi anëtarë të familjes… Nuk është keq edhe me i mësu, a kuptoni? Por nuk kam unë kurreshtje për këtë punë”, tha ai.

Burimi: Insajderi