Policia e trafikut e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e Rrjetit Evropian të Policive të Trafikut (ROADPOL), në periudhën nga 16 deri më 22 nëntor 2026 po realizon kontrolle të intensifikuara rrugore në kuadër të aksionit ndërkombëtar “Truck & Bus”, që synon rritjen e sigurisë së autobusëve dhe automjeteve transportuese në qarkullimin rrugor.
Siç njoftojnë nga MPB, qëllimi i aksionit është parandalimi i aksidenteve rrugore, zbulimi dhe sanksionimi me kohë i kundërvajtjeve, si dhe ngritja e nivelit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
“Gjatë kontrolleve, vëmendje e veçantë i kushtohet gjendjes teknike dhe pajisjeve të sigurisë së autobusëve dhe automjeteve transportuese, përmbushjes së kushteve ligjore për transportin e organizuar të fëmijëve, si dhe respektimit të rregullave gjatë organizimit të udhëtimeve shkollore, edukative dhe rekreative. Gjithashtu, kontrollohen gjendja psikofizike dhe aftësia e shoferëve për drejtimin e sigurt të automjeteve, si dhe përmbushja e detyrimeve të tjera ligjore në transportin rrugor”.
“Paralelisht me këto aktivitete, zyrtarët policorë realizojnë kontrolle të intensifikuara edhe ndaj pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, me theks të veçantë në mosrespektimin e kufizimeve të shpejtësisë, drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit ose substancave psikotrope, mospërdorimin e rripit të sigurisë, transportin e parregullt të udhëtarëve dhe kundërvajtjet e tjera që rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë në rrugë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel shoferëve, transportuesve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë denjësisht rregullat dhe rregulloret e trafikut dhe të tregojnë një nivel të lartë përgjegjësie gjatë pjesëmarrjes në trafik”, thonë nga MPB.