
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Rr.H., i dyshuar për vrasjen e rëndë të S.D., në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkimin e automjeteve.
I dyshuari, sipas Prokurorisë, ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës, fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas duke vazhduar të qëllojë edhe pasi kishte hapur dyert e tij.
Nga të shtënat është plagosur rëndë S.D., i cili fillimisht është dërguar në QKMF në Suharekë dhe më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Në momentin e ngjarjes, në automjet kanë qenë edhe bashkëshortja dhe vajza e mitur e viktimës, jeta e të cilave, sipas Prokurorisë, gjithashtu është vënë në rrezik.
Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i krimit, por më vonë është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia ka sekuestruar një armë zjarri të llojit “Sig Sauer”, dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërsa, gjatë kontrollit të banesës janë gjetur edhe 47 fishekë të tjerë.
Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se i dyshuari rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.
Ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për zbardhjen e rasteve kriminale dhe vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin.