
Një seri vjedhjesh të rënda në Fushë Kosovë, ku hajnat dyshohet se hynin nëpër banesa përmes ballkoneve, duke thyer xhamat e tarracave dhe duke marrë para e stoli ari, ka përfunduar me arrestimin e një personi. Tetë raste, dëme të raportuara në vlerë mbi 60 mijë euro dhe një armë zyrtare e vjedhur nga banesa e një polici janë pjesë e hetimeve që kanë zgjatur prej javësh, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është Adnan Bullaku, rreth 29 vjeç, ndërsa një person tjetër i dyshuar është shpallur në kërkim policor.
Njëri prej rasteve që çoi në hetimin e kësaj serie vjedhjesh ishte raportuar më 8 tetor, kur persona të maskuar dyshohet se kishin depërtuar në një banesë përmes ballkonit, duke thyer xhamin e tarracës.
Nga ajo banesë, sipas denoncimit, ishin marrë para të gatshme, stoli ari dhe pajisje të ndryshme, me vlerë të përgjithshme rreth 20 mijë euro.
Por ky nuk ishte rasti i vetëm.
Pas kësaj vjedhjeje, në Fushë Kosovë u raportuan edhe shtatë raste të tjera me mënyrë të ngjashme veprimi.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, autorët e dyshuar shënjestronin banesa të ndryshme, ku hynin me forcë dhe merrnin kryesisht para të gatshme dhe stoli ari.
Vlera e përgjithshme e sendeve dhe parave të raportuara si të vjedhura në këto raste tejkalon 60 mijë euro.
Në mesin e pronave të goditura ishte edhe banesa e një zyrtari policor, nga ku është raportuar e vjedhur një armë zyrtare.
Rastet janë evidentuar në disa zona të Fushë Kosovës, përfshirë rrugët “Fazli Grajqevci”, “Anton Qeta” dhe “Bedri Pejani”.
Hetuesit e Stacionit Policor në Fushë Kosovë kanë ndërmarrë veprime operative dhe hetimore për identifikimin e personave të përfshirë.
Pas hetimeve, më 19 nëntor, rreth orës 23:00, Policia ka arrestuar njërin prej personave të dyshuar, ndërsa i dyshuari tjetër është shpallur në kërkim.
Gjatë kontrolleve në dy lokacione, hetuesit kanë gjetur sende që dyshohet se lidhen me vjedhjet.
Në mesin e tyre janë sekuestruar para të gatshme, një veturë, një pistoletë, një telefon iPhone, rroba, doreza, maskë dhe kaçavida.
Po ashtu, është gjetur edhe një sasi substance e dyshuar marihuanë.
Policia po i trajton këto sende si prova materiale në kuadër të hetimeve për rastet e vjedhjeve.
Pas arrestimit, Bullaku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkohë, veprimet policore për lokalizimin e personit tjetër të dyshuar po vazhdojnë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali