
Një vjedhje e rëndë, me dëm të jashtëzakonshëm financiar, ka ndodhur në Prishtinë, ku persona ende të paidentifikuar kanë shfrytëzuar mungesën e familjarëve për të hyrë me forcë në një shtëpi dhe për të marrë para të gatshme, stoli ari dhe ora luksoze. Vlera e përgjithshme e dëmit, sipas denoncimit, arrin në rreth 200 mijë euro, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, më 18 nëntor, në rrugën “Sabit Mushica”, ndërsa rasti është raportuar në orët e pasdites.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se shtëpia e goditur është në pronësi të F.K, rreth 34 vjeç.
Sipas informacioneve të siguruara, në momentin kur dyshohet se ka ndodhur vjedhja, në shtëpi nuk ndodhej asnjë anëtar i familjes.
Personat e dyshuar kanë shfrytëzuar këtë rrethanë dhe dyshohet se kanë depërtuar në objekt përmes një dritareje, duke hyrë me forcë në hapësirat e brendshme.
Nga shtëpia janë raportuar të vjedhura rreth 25 mijë euro para të gatshme, stoli ari dhe ora të markave Rolex dhe Swiss Watch.
Sipas deklarimit të viktimës, vlera e përgjithshme e pasurisë së marrë arrin në rreth 200 mijë euro.
Pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia rajonale e kriminalistikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet dhe kanë mbledhur prova që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit janë iniciuar hetimet për veprën penale “Vjedhja e rëndë”.
Personi apo personat e dyshuar ende nuk janë identifikuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali